Një sulm i përmasave gjigante kibernetike ka tronditur Francën, pasi hakerët kanë arritur të depërtojnë në sistemet e Maileva-s, kompanisë bijë të Postës Franceze, duke ekspozuar të dhënat personale të plot 22 milionë njerëzve.
Sipas raportimeve të France24, sulmi ka ndodhur në mesin e muajit shtator, ndërsa përmasat e vërteta të incidentit janë bërë publike vetëm së fundmi.
Të dhënat e komprometuara përfshijnë emrat, mbiemrat dhe adresat postare të miliona personave, të cilët kanë qenë marrës të korrespondencës së dërguar përmes platformës nga kompani të ndryshme.
Maileva është një platformë dixhitale që përdoret nga bizneset për dërgimin e faturave, dokumenteve zyrtare, fletëpagesave dhe letrave të regjistruara.
Sipas kompanisë La Poste, nuk ka prova të bëra publike se nga sulmi janë ekspozuar fjalëkalime, të dhëna bankare apo përmbajtja e dokumenteve të dërguara.
Megjithatë, numri i jashtëzakonshëm i personave të prekur e bën këtë incident një nga shkeljet më të mëdha të sigurisë së të dhënave të regjistruara në Francë.
Maileva ka mbi 70 mijë përdorues dhe gjatë vitit 2024 ka përpunuar rreth 180 milionë dokumente, çka shpjegon edhe përmasat e mëdha të rrjedhjes së informacionit.
Pas incidentit, kompania ka njoftuar Autoritetin Francez për Mbrojtjen e të Dhënave Personale (CNIL), ndërsa ka depozituar edhe një kallëzim pranë autoriteteve kompetente.
Aktualisht është në zhvillim një hetim gjyqësor për të zbardhur mënyrën se si hakerët arritën të depërtonin në sistem dhe për të identifikuar autorët.
Ekspertët paralajmërojnë se edhe emrat dhe adresat postare mund të përdoren për mashtrime të personalizuara, përmes letrave apo mesazheve që synojnë të mashtrojnë qytetarët.
Ndërkohë, incidenti vjen pas një serie sulmesh të tjera kibernetike që kanë goditur institucionet dhe kompanitë franceze, duke rikthyer në vëmendje sigurinë e të dhënave personale në platformat dixhitale.












