Teherani akuzon shtetet e Gjirit se po ndihmojnë sulmet ushtarake të SHBA-së
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmail Baghaei, ka deklaruar se Teherani disponon prova të “dokumentuara” që dëshmojnë se vendet e rajonit kanë ndihmuar sulmet e Shteteve të Bashkuara kundër Iranit dhe se kjo çështje është ngritur drejtpërdrejt përmes kanaleve diplomatike.
“Të gjitha rastet që tregojnë rolin e vendeve të rajonit në ndihmën e dhënë SHBA-së për të sulmuar Iranin janë dokumentuar”, u shpreh Baghaei, duke shtuar se Teherani do ta “ndjekë me seriozitet këtë çështje”.
Gjatë një konference për shtyp, ai tha se raketat, dronët dhe avionët e lëshuar nga bazat ushtarake në këto vende, së bashku me mbështetjen logjistike të ofruar për forcat amerikane, konfirmojnë përfshirjen e tyre.
“Përgjegjësia e këtij grupi vendesh të rajonit për pasojat … e agresionit ushtarak të Shteteve të Bashkuara dhe regjimit sionist kundër Iranit është e qartë”, deklaroi Baghaei.
Ai gjithashtu mbrojti sulmet hakmarrëse të Iranit, duke theksuar se ato janë kryer në bazë të Nenit 51 të Kartës së Kombeve të Bashkuara.
“Asnjë veprim nuk është ndërmarrë nga Irani kundër sovranitetit të këtyre vendeve”, tha ai, duke këmbëngulur se sulmet iraniane janë “thjesht mbrojtëse në natyrë” dhe kanë pasur në shënjestër vetëm bazat dhe asetet ushtarake amerikane të përdorura për të sulmuar vendin.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




