Këtë të dielë, kryeqyteti mirëpret edicionin e 10-të të Maratonës së Tiranës. Një garë pesë kilometra e gjatë që do të bëjë së bashku rreth 5.800 garues.
Me rastin e këtij aktiviteti që do të shtrihet në rrugët kryesore të qytetit, Bashkia e Tiranës në bashkëpunim me Policinë e Shtetit kanë hartuar një plan masash për devijimin e qarkullimit të automjeteve.
Kufizimi I qarkullimit të automjeteve do të nisë nga ora 08:00 dhe do të zgjasë deri në orën 16:00.
Disa nga rrugët që do të bllokohen janë që nga Sheshi “Nene Tereza” duke vazhduar në të gjithë bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, bulevardi “Zog I”, “Bulevardi i Ri”, rruga e “Durrësit” ajo e “Kavajës”, rruga “Myslym Shyri”, bulevardi “Zhan D’Ark” nga kryqëzimi me rrugën “George W Bush” deri në kryqëzimin me bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Gjithashtu bllokim dhe devijim te qarkullimit do të ketë edhe në Unazën e Mesme përveç segmentit ura e Gjykatës së Rrethit Tiranë deri tek Rruga e “Elbasanit”, rruga “Luigj Gurakuqi”, rruga e “Dibrës”, rruga e “Barrikadave”, rruga “Mine Peza”, rruga e “Kavajës” nga ura te shkolla teknologjike deri te kryqëzimi “21 Dhjetori”.
Nga ana tjetër Bashkia Tiranë bën të ditur se për mbarëvajtjen e aktivitetit do të ndalohet qarkullimi i automjeteve për transport të përzier, teknologjike dhe transport pasagjerësh në brendësi të Unazës së Madhe nga ora 08.00-16.00.













