Reshjet e dendura të shiut, si paraqitet situata në qarkun e Shkodrës
Situata në territorin e Qarkut Shkodër paraqitet e qetë dhe drejt normalizimit, pas problematikave të shkaktuara nga reshjet intensive të ditëve të fundit.
Në Bashkinë Shkodër, aksi rrugor Theth–Ndërlysaj është i kalueshëm për automjetet 4×4 dhe mjetet e rënda, ndërsa vijon ndërhyrja për pastrimin e plotë të inerteve dhe normalizimin e qarkullimit.
Në Bashkinë Malësi e Madhe, fshatin Kamicë, Nj.A Qendër, prurjet e Përroit të Thatë kanë rënë. Strukturat bashkiake do të vijojnë ndërhyrjet e nevojshme për riparimin e rrugës dhe rivendosjen e aksesit në pjesën rrugore që lidh me fshatin.
Në bashkitë Vau i Dejës, Pukë dhe Fushë-Arrëz nuk raportohen problematika nga strukturat e Mbrojtjes Civile.
Nga monitorimi i kryer nga Drejtoria e Ujitjes dhe Kullimit Lezhë, nuk raportohen problematika me funksionimin e veprave kulluese dhe hidrovorëve.
Prefektura e Qarkut Shkodër, në bashkëpunim me bashkitë dhe strukturat përgjegjëse të Mbrojtjes Civile, vijon monitorimin e situatës dhe koordinimin e ndërhyrjeve për rikthimin e plotë të normalitetit në zonat e prekura.




