Perversiteti i fjalës së Baton Haxhiut

Perversiteti i fjalës së Baton Haxhiut

09:33, 15/11/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Nga Enver Bytyçi/

Baton Haxhiu bëri një deklaratë të turpshme, tek tha se ishte i shokuar atëherë kur në vitin 1998 ishte pritur në shtëpinë e nënës së Veton Surroit dhe se në faqen e murit kishte parë fotografinë e Jofip Broz Titos. Dmth Vetoni, asokohe në bashkëpunim dhe mesa duket në miqësi të ngushtë me Batonin, e fton këtë të fundit në shtëpinë e nënës së tij. Batoni shkon në shtëpinë e mikut të tij të dikurshëm dhe thotë se për 28 vite ka mbajtur të fshehur një “sekret” të nënës së tij – foton e ish-udhëheqësit komunist të Jugosllavisë. Bëhet fjalë për atë kohë, kur vetë Batoni “mbante” fotografinë e kriminelit të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit në Kosovë, Stanishiq. Madje kur ai kishte bërë fotografi me këtë kriminel të dënuar tashmë në Hagë. Ndërkohë ne nuk e dimë sa e vërtetë është ajo që thotë Batoni, sepse duke ditur kuzhinën ku ai gatuhet, ajo lloj kuzhine prodhon 99 shpifje e një ose asnjë të vërtetë.

Sot miku i madh i Serbisë, Baton Haxhiu, na thotë pra se ishte i shokuar kur kishte parë fotografinë e udhëheqësit jugosllav, Tito, në shtëpinë e dikujt tjetër, personazh i cili kishte pasur bashkëshortin e saj ambasador të Titos në botën e jashtme. Por nuk po zgjatem në këtë interpretim. Kryesore është se kemi të bëjmë me shkeljen e një parimi thelbësor të respektit njerëzor për miqësinë që dikush të ka ofruar dikur. Në rastin konkret të Veton Surroit për Baton Haxhiun. Dhe dihet tashmë se Vetoni nuk kishte nevojë për Batonin, sa ky i fundit kishte nevojë për zotin Surroi. Çfarë kam parasysh me këtë?

Eshtë perversitet i një lloji të veçantë të përdorësh miqësinë e ofruar në çdo kohë të dikujt për t’u hakmarrë ndaj tij në një kohë tjetër, aq më tepër pas gati tri dekadave. Ka shumë mundësi që pas kaq shumë kohësh të të rrjedhë edhe mendja. Ky lloj perversiteti lidhet më tepër me implikimin e një pjestari e tjerë të familjes së mikut tënd. Këtë ka bërë në këtë rast Baton Haxhiu. Ka shkelur mbi traditën, mbi nderin, mbi miqësinë dhe mbi gjithçka që përmban kodi i sjelljes në këtë rast, thjesht për të goditur ish-mikun e tij, të parë tashmë si “armik”! Të publikosh diçka simbolike me qëllim denigrimi pas 28 vitesh është më shumë se perversitet, më shumë se intrigë, më shumë se krim moral, më shumë se pabesi! Edhe sikur fabula të jetë e vërtetë!

Kam patur një xhaxha, i cili më thoshte vazhdimisht: - Eh mor bir, nëse njeriu nuk dëshmon vetë për atë që është, askush nuk e dallon karakterin e tij. Është shumë pozitiv fakti se Batoni na thotë vazhdimisht se kush është dhe çfarë përfaqëson. Ai, edhe në kodin e sjelljes si në këtë rast, përfaqëson perversitetin! Na shfaqet si gjithmonë kriminel i shkronjës dhe i fjalës!

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco