Zahrës i kishin mbetur vetëm pak muaj për të përfunduar studimet e mjekësisë në Kabul kur autoritetet talibane ndaluan gratë të ndiqnin universitetin në Afganistan. Familja u shpërngul në Iran që ajo dhe motra e saj të vazhdonin shkollimin. Katër vjet më vonë, asnjëra prej tyre nuk është pjesë e sistemit arsimor.
Sipas Zahrës, viza e familjes skadoi shpejt dhe, pa leje të ligjshme qëndrimi, atyre iu mohua mundësia për të studiuar. Për arsye sigurie, emri i saj i vërtetë dhe ata të grave të tjera afgane në këtë artikull nuk bëhen publikë.
Të lidhura
None found
Nga Teherani, ajo i tha me telefon Radios Evropa e Lirë se asnjë prej kërkesave të tyre për t’u arsimuar në Iran nuk mori përgjigje pozitive. Zahra shtoi se shumë vajza të tjera afgane atje po përballen me të njëjtën situatë.
Qindra vajza që u larguan drejt Iranit dhe Pakistanit fqinj për të vazhduar mësimet, pasi iu mbyllën shkollat e mesme dhe universitetet në Afganistan, po hasin pengesa në rritje edhe në këto vende. Teherani dhe Islamabadi kanë ashpërsuar rregullat e qëndrimit dhe po dëbojnë një numër të madh afganësh.
Në mars 2022, talibanët pezulluan arsimimin e vajzave pas klasës së gjashtë. Në dhjetor të atij viti, grave iu ndaluan studimet universitare, ndërsa në dhjetor 2024 ato u përjashtuan edhe nga kurset e trajnimit mjekësor.
Organizata e Kombeve të Bashkuara tha në gusht se rreth 2.4 milionë vajza në Afganistan kanë mbetur pa arsim të mesëm që prej rikthimit në pushtet të grupit ultrakonservator, në gusht 2021. Sipas saj, Afganistani është i vetmi shtet ku arsimi i mesëm dhe i lartë për vajzat dhe gratë ndalohet zyrtarisht.
Në një fotografi arkivore, vajza afgane kërkojnë që t’u lejohet shkollimi.
Roya, një tjetër grua afgane që jeton në Teheran, u largua nga vendlindja rreth katër vjet më parë për të mos hequr dorë nga arsimimi. Ajo i tha Radios Evropa e Lirë se dëshironte të studionte, të merrte një diplomë masteri dhe të ndërtonte diçka në jetën e saj; për këtë arsye kishte vendosur të largohej.
Megjithëse kishte diplomë bachelor, aplikimet e Royas për një program masteri në disa universitete iraniane u refuzuan, sepse ajo nuk kishte leje të ligjshme qëndrimi.
Si Roya, ashtu edhe Zahra thonë se rreziku i dëbimit i shoqëron çdo ditë. Në vitin 2025, nga Irani u kthyen rreth 1.9 milion afganë, prej të cilëve 1.26 milionë u dëbuan. Dëbimet vazhduan të shtoheshin edhe në vitin 2026: sipas shifrave të cituara nga Kombet e Bashkuara, deri më 12 tetor ishin dëbuar afro 492.300 persona.
Në mars 2025 skaduan fletëregjistrimet që u kishin dhënë status të përkohshëm ligjor rreth dy milionë afganëve në Iran. Duke nisur nga 21 marsi 2025, autoritetet iraniane kufizuan qasjen në shërbime, përfshirë arsimin, për të huajt pa dokumente të vlefshme qëndrimi.
Zyrtarët iranianë këmbëngulin se mundësia për t’u shkolluar nuk është mbyllur krejtësisht. Nader Yarahmadi, drejtues i Qendrës për Shtetasit e Huaj dhe Emigrantët në Ministrinë e Brendshme, i tha agjencisë iraniane Tasnim më 27 shtator se fëmijët afganë mund të shkojnë në shkollë edhe pa dokumente, nëse prindërit kanë leje të vlefshme qëndrimi. Sipas tij, dokumentet mund të plotësohen gjatë vitit shkollor.
Gazeta iraniane në gjuhën angleze, Tehran Times, ka raportuar gjithashtu se fëmijët afganë mund të mësojnë krahas nxënësve iranianë pa paguar tarifa shtesë shkollimi. Megjithatë, Ministria e Arsimit e Iranit kërkon që shtetasit e huaj të kenë dokumente të vlefshme qëndrimi, të regjistrohen në shkollat e zonës ku figurojnë si banorë dhe të marrin letra rekomandimi nga agjencitë përgjegjëse për migrantët.
Shumë afganë që kanë mbërritur në Iran vitet e fundit thonë se vizat u kanë skaduar dhe se marrja e një lejeje të ligjshme qëndrimi është bërë pothuajse e pamundur.
Pengesa të ngjashme ka edhe në Pakistan. Nilofar ishte në vitin e fundit të shkollës së mesme në Afganistan kur kufizimet e talibanëve ia ndërprenë mësimet. Ajo u nis me të afërmit drejt Pakistanit për të vazhduar shkollën, por nuk arriti të regjistrohej, pasi nuk siguroi leje qëndrimi. Tani ndjek një kurs të gjuhës angleze, ku nuk kërkohet letërnjoftim.
Nilofar jeton në Hazara Town, një lagje e Kuetës, kryeqytetit të provincës pakistaneze Baloçistan. Ajo thotë se shkoi në Pakistan për të marrë një arsimim të mirëfilltë, ndërsa tani mund të ndjekë vetëm kurse herë pas here.
Vështirësitë kanë prekur edhe afganët që kishin nisur studimet e larta në Pakistan. Qindra studentë afganë të mjekësisë, mes tyre shumë gra, po përpiqen t’i vazhdojnë studimet pasi Këshilli Mjekësor dhe Dentar i Pakistanit urdhëroi kthimin e tyre në vendlindje dhe u kërkoi kolegjeve të mos i regjistronin për këtë vit akademik.
Vendime të përkohshme të gjykatave pakistaneze i mbrojnë studentët nga dëbimi i menjëhershëm, por nuk e kanë zgjidhur pasigurinë për të ardhmen e tyre. Sipas zyrtarëve pakistanezë, afganët mund të ndjekin shkolla dhe universitete nëse kanë viza të vlefshme, dokumente qëndrimi dhe letërnjoftime lokale.
Mbrojtësit e të drejtave të njeriut thonë se kjo politikë nuk u përgjigjet nevojave të personave pa viza formale, qoftë për shkak të vonesave administrative, qoftë për shkak të anulimit të statusit të refugjatit.
Disa migrantë afganë i thanë Radios Evropa e Lirë se jetojnë me frikën e arrestimit gjatë bastisjeve të policisë pakistaneze. Sipas tyre, kjo frikë është e vazhdueshme që kur Islamabadi nisi një valë të re masash ndaj afganëve pa dokumente në vitin 2023.
Agjencia e OKB-së për Refugjatët (UNHCR) dhe Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM) raportuan se, nga shtatori 2023 deri më 16 maj 2026, më shumë se 2.39 milionë afganë u kthyen nga Pakistani.
Nilofar thotë se, po të kishte vazhduar shkollën gjatë katër apo pesë viteve të fundit, sot do të ishte në semestrin e katërt të universitetit. Kursi i anglishtes, shton ajo, nuk e zëvendëson shkollën.




