Një 17-vjeçar është arrestuar nga Policia e Tiranës, pasi u kap duke lëvizur i armatosur me një pushkë gjysmëautomatike dhe 140 fishekë luftarakë në rrugën e fshatit Allgjatë.
I mituri, banues në Vaqarr, u arrestua në kuadër të operacionit policor të koduar “Guns 3”, të zhvilluar nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6.
Sipas Policisë, operacioni nisi pas informacioneve të siguruara në rrugë operative se një person po lëvizte i armatosur. Pas lokalizimit të të dyshuarit në rrugën e fshatit Allgjatë, efektivët ndërhynë dhe bënë ndalimin e tij.
Gjatë kontrollit, 17-vjeçarit iu gjet një armë zjarri, e dyshuar si pushkë gjysmëautomatike, si dhe 140 fishekë luftarakë, të cilat, sipas Policisë, i posedonte pa leje.
Arma dhe municioni u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.