Tre persona janë arrestuar dhe 18 të tjerë janë proceduar penalisht për veprime të kundërligjshme gjatë protestës së zhvilluar një ditë më parë në Tiranë. Policia njofton gjithashtu se janë vendosur 44 masa administrative, dy prej të cilave në vlerën 500 mijë lekë.
Sipas Policisë, në pranga është vënë E. K., 33 vjeç, i cili dyshohet se ka dëmtuar trafikndarëset dhe ka thyer stendat e reklamave në rrugën “Muhamet Gjollesha”.
Është arrestuar gjithashtu I. R., 23 vjeç, pasi dyshohet se gjatë shoqërimit në Komisariat ka goditur një punonjës policie për shkak të detyrës.
Personi i tretë i arrestuar është një 15-vjeçar, i akuzuar për disa vepra penale, mes të cilave organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme, prishja e rendit dhe qetësisë publike, pengimi i qarkullimit, shkatërrimi i pronës dhe mosbindja ndaj urdhrave të Policisë.
Përveç të arrestuarve, 18 persona të tjerë janë proceduar penalisht.
Policia bën të ditur se, në zbatim të Aktit Normativ nr. 5, datë 28 tetor 2026, janë plotësuar 44 procesverbale për kundërvajtje administrative të konstatuara gjatë protestës. Dy prej gjobave janë në vlerën 500 mijë lekë.
Hetimet vijojnë në bashkëpunim me Prokurorinë për dokumentimin e plotë të ngjarjeve, identifikimin e personave të tjerë të përfshirë dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore.
