Izraeli vret komandantin e lartë të Hamasit në një sulm ajror në Gaza
Izraeli ka njoftuar se ka vrarë një komandant të lartë të Hamasit gjatë një sulmi ajror të kryer gjatë natës në jug të Rripit të Gazës. Bëhet fjalë për Samir Mahmoud Hassan Abu Younis, i cili drejtonte Brigadën Rafah të Hamasit.
Sipas Forcave të Mbrojtjes së Izraelit (IDF), Abu Younis kishte marrë drejtimin e brigadës rreth dy muaj më parë, pas vrasjes së paraardhësit të tij. Më herët, ai kishte shërbyer si zëvendëskomandant i brigadës dhe kishte drejtuar batalionin Tel al-Sultan.
Ushtria izraelite e akuzon atë për përfshirje në planifikimin e sulmit të 7 tetorit 2023 në Izrael, si dhe për drejtimin e sulmeve kundër civilëve dhe ushtarëve izraelitë. Sipas IDF-së, ai ishte gjithashtu i angazhuar në rindërtimin e kapaciteteve ushtarake të Hamasit.
Nga ana tjetër, Brigadat Al-Qassam, krahu i armatosur i Hamasit, e përshkruan Abu Younis si një nga komandantët e rëndësishëm që kishte marrë pjesë në planifikimin dhe mbikëqyrjen e sulmit të 7 tetorit, duke e cilësuar si të përfshirë në disa prej operacioneve më të rëndësishme të organizatës.
Abu Younis pasoi Nael Abu Obeid, i cili u vra nga Izraeli më 15 shtator, duke u bërë komandanti i radhës i Hamasit i vrarë nga forcat izraelite.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




