Partia e Pensionistëve kërkon burg për politikanët e korruptuar si dhe konfiskim të pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme

Jo vetëm burg për korrupsionin, por edhe konfiskim të pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme dhe ndalim të përjetshëm të ushtrimit të funksioneve publike.
Këto janë disa nga kërkesat kryesore të Partisë së Pensionistëve, e cila mbështet versionin e ri të Propozim-ligjit për Kodin Penal, por vlerëson se ashpërsimi i dënimeve nuk mjafton për t’i dhënë fund korrupsionit dhe keqpërdorimit të pushtetit.
Sipas kësaj partie, krahas ndryshimeve ligjore, vendit i nevojitet një reformë rrënjësore e gjyqësorit dhe prokurorisë, në mënyrë që përgjegjësia për shkeljen e ligjit të mos varet nga pozita apo përkatësia politike e individit.
Në reagimin e saj, Partia e Pensionistëve thekson se keqpërdorimi i pozitës zyrtare duhet të ndëshkohet me masat më të ashpra, veçanërisht kur bëhet fjalë për bartës të funksioneve publike, veprimet e të cilëve cenojnë besimin e qytetarëve në institucionet shtetërore. Nga kjo parti konsiderojnë se ndryshimet e propozuara në Kodin Penal janë një hap në drejtimin e duhur, por kërkojnë mekanizma shtesë që do ta bëjnë luftën kundër korrupsionit më efikase dhe do të parandalojnë shmangien e përgjegjësisë nga funksionarët e përfshirë në veprimtari të paligjshme.
Një nga propozimet kryesore të Partisë së Pensionistëve është zgjerimi dhe zbatimi i menjëhershëm i konfiskimit të pasurisë, për të cilën funksionarët nuk mund të dëshmojnë se është fituar nga burime të ligjshme.
Sipas partisë, kjo masë nuk duhet të kufizohet vetëm te pasuria e regjistruar në emër të funksionarit, por duhet të përfshijë edhe pronat dhe mjetet financiare që janë transferuar te anëtarët e familjes apo bashkëpunëtorët e afërt. Në këtë mënyrë, vlerësojnë nga Partia e Pensionistëve, do të parandalohej fshehja e pasurisë së përfituar në mënyrë të paligjshme përmes personave të tjerë.
Partia propozon që mjetet financiare të konfiskuara të orientohen detyrimisht drejt fondeve për mbrojtje sociale dhe shëndetësi, si dhe të përdoren për përmirësimin e standardit jetësor të pensionistëve dhe kategorive të tjera të cenueshme të qytetarëve. Me këtë propozim, partia synon që pasuria e rikuperuar nga veprat korruptive të shërbejë drejtpërdrejt për nevojat sociale të qytetarëve.
Një tjetër kërkesë është vendosja e ndalimit të përjetshëm për ushtrimin e funksioneve publike për çdo person që dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepra penale të korrupsionit.
Sipas Partisë së Pensionistëve, individët që kanë keqpërdorur besimin publik dhe janë shpallur fajtorë për korrupsion nuk duhet të kenë mundësi të rikthehen në pozita nga të cilat mund të ndikojnë përsëri në institucionet shtetërore.
Përveç ndryshimeve në Kodin Penal, Partia e Pensionistëve propozon katër masa konkrete për reformimin e sistemit të drejtësisë.
“Masa e parë është vendosja e një sistemi të kontrollit të gjyqtarëve dhe prokurorëve publikë, i njohur si veting. Ky proces, sipas partisë, duhet të përfshijë kontroll të rregullt dhe transparent të pasurisë, si dhe verifikim të integritetit profesional të bartësve të funksioneve në drejtësi. Qëllimi është identifikimi dhe largimi i kuadrove të korruptuara nga sistemi gjyqësor dhe prokurorial. Masa e dytë është depolitizimi i plotë i Këshillit Gjyqësor, përmes ndryshimit të mënyrës së zgjedhjes së anëtarëve të tij”, thonë mes tjerash nga kjo parti.
Nga Partia e Pensionistëve vlerësojnë se një reformë e tillë do të ndihmonte në parandalimin e ndikimeve politike dhe partiake gjatë zgjedhjes dhe avancimit të gjyqtarëve. “Kërkesa e tretë ka të bëjë me përshpejtimin e procedurave gjyqësore për rastet e korrupsionit të nivelit të lartë.
Partia propozon vendosjen e afateve të detyrueshme për zhvillimin e këtyre procedurave, me qëllim që të shmangen zvarritjet e proceseve, parashkrimi i lëndëve dhe mundësia që personat përgjegjës t’i shpëtojnë drejtësisë.
Masa e katërt është forcimi i institucioneve kundër korrupsionit, përmes garantimit të pavarësisë së plotë financiare, institucionale dhe operative të Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, si dhe Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit”, propozojnë nga Partia e Pensionistëve.
Sipas partisë, pa institucione të pavarura dhe funksionale, edhe dispozitat më të ashpra ligjore rrezikojnë të mbeten pa efektin e dëshiruar.
Në fund të reagimit, Partia e Pensionistëve thekson se qytetarët meritojnë një shtet të drejtë, ku ligjet zbatohen në mënyrë të barabartë për të gjithë, pavarësisht funksionit publik apo përkatësisë politike.
Nga kjo parti porosisin se lufta kundër korrupsionit nuk duhet të kufizohet vetëm në rritjen e dënimeve, por duhet të shoqërohet me reforma që garantojnë përgjegjësi institucionale, transparencë dhe sundim të ligjit.






































