‘Ata ukrainas të ndyrë’/ Aryna Sabalenka sqaron fyerjet e bëra gjatë ndeshjes kundër Scvitolinës: Komenti im nuk ishte për Svitolinën Edicioni i 10-të i Maratonës së Tiranës ka mbledhur rreth 5800 pjesëmarrës nga vende të ndryshme të botës, duke e kthyer kryeqytetin në një arenë të madhe sportive.
Një nga momentet më të veçanta të këtij edicioni ishte vlerësimi i pjesëmarrësve të grupit “Wee To”, të cilët përcollën një mesazh të fortë për gjithë përfshirjen dhe mundësitë e barabarta në sport.
Maratona e Tiranës, një nga aktivitetet më të rëndësishme sportive të organizuara nga Bashkia e Tiranës, shënoi këtë vit edicionin e saj të 10-të, me pjesëmarrjen e mijëra garuesve në kategori të ndryshme. Risia e këtij edicioni ishte edhe përfshirja e garës 5 kilometra, duke krijuar mundësi për një pjesëmarrje edhe më të gjerë.
Vëmendje të veçantë mori pjesëmarrja e grupit “Wee To”, të përbërë nga persona me aftësi të kufizuara, të cilët dëshmuan se sporti nuk njeh barriera dhe se vullneti për të qenë pjesë e aktiviteteve sportive shkon përtej kufizimeve fizike.
Çmimet për pjesëmarrësit e këtij grupi u ndanë nga nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Etleva Bisha, e cila vlerësoi mesazhin e rëndësishëm që ata përcollën për shoqërinë.
“Ata sot kanë dhënë një mesazh shumë të madh për gjithë banorët e Tiranës, por pse jo edhe të gjithë Shqipërisë: edhe aty ku dikush mund të duket se ka një aftësi të kufizuar, në vetvete është person si gjithë të tjerët dhe ka aftësitë dhe mundësinë për të dhënë e për të kontribuar për jetën e qytetit dhe të komunitetit”, u shpreh Bisha.
Nënkryetarja theksoi gjithashtu angazhimin e Bashkisë së Tiranës për krijimin e një qyteti më të aksesueshëm dhe gjithëpërfshirës, përmes eliminimit të barrierave fizike dhe shtimit të mundësive që personat me aftësi të kufizuara të marrin pjesë në aktivitetet sportive dhe në jetën komunitare.
Për mbarëvajtjen e Maratonës së Tiranës u angazhuan strukturat e Policisë Bashkiake dhe Policisë së Shtetit, ndërsa përgjatë itinerarit të garës u aplikuan kufizime të përkohshme të qarkullimit për të garantuar sigurinë e pjesëmarrësve.
Edicioni i 10-të i Maratonës së Tiranës përcolli jo vetëm frymën e garës dhe të një jetese aktive, por edhe mesazhin se sporti është një mundësi për të gjithë, pa dallim moshe apo aftësie.
Top Channel