Irani: Sulmuam me dronë instalimet ushtarake amerikane!
Irani pretendon se ka ndërmarrë sulme me dronë ndaj instalimeve ushtarake amerikane në Bahrein, duke përshkallëzuar më tej tensionet në Gjirin Persik.
Sipas Gardës Revolucionare iraniane, gjashtë dronë u lëshuan drejt një sistemi radarësh amerikanë në bazën Al-Rifaa, ku janë të dislokuara edhe forca amerikane. Teherani e cilësoi sulmin si kundërpërgjigje ndaj operacioneve amerikane kundër Iranit.
Ndërkohë, autoritetet e Bahreinit njoftuan për kërcënime të mundshme ajrore dhe u bënë thirrje qytetarëve të qëndrojnë në vende të sigurta. Sistemet e mbrojtjes ajrore kanë interceptuar disa sulme, ndërsa nuk ka konfirmim të pavarur për dëme në bazën amerikane.
Bahreini ka një rëndësi strategjike për Uashingtonin, pasi aty ndodhet selia e Flotës së Pestë të Marinës amerikane. Zhvillimet e fundit shtojnë shqetësimet për zgjerimin e konfliktit dhe sigurinë në Gjirin Persik.




