Lavrov: Kërkesat e Putinit ndaj Ukrainës nuk kanë ndryshuar që nga viti 2024

Europë | 5 minuta më parë

Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov deklaroi se objektivat e presidentit Vladimir Putin ndaj Ukrainës mbeten të pandryshuara që nga qershori i vitit 2024, duke sinjalizuar se Rusia po i reziston fort përpjekjeve të reja për një marrëveshje paqeje.

Lavrov theksoi se pozicioni rus në negociata do të orientohet drejt arritjes së qëllimeve të “operacionit special ushtarak”.

Sipas tij, këto qëllime u formuluan qartë nga presidenti Putin në qershor 2024 dhe nuk kanë pësuar asnjë ndryshim.

Në atë kohë, Putin kishte bërë të qartë se një armëpushim dhe negociata të vërteta ishin të pamundura përderisa Ukraina nuk plotësonte dy kërkesa kryesore: tërheqjen e plotë të forcave ukrainase nga katër rajonet e okupuara pjesërisht dhe deklarimin se Ukraina nuk do të bashkohet kurrë me NATO-n.

Tani dialogu mes palëve po zhvillohet me ndërmjetësimin e administratës aktuale amerikane, e cila, sipas vlerësimeve, është më e hapur ndaj pozicioneve ruse.

Lavrov pretendoi se Rusia po dëgjohet më shumë nga amerikanët lidhur me “shkaqet rrënjësore” të konfliktit. Ai minimizoi rolin e përfaqësuesve evropianë në bisedimet e ardhshme, duke thënë se BE-ja duket se “ka vështirësi të kuptojë se çfarë roli mund t’i caktohet” dhe se “po përpiqet të hipë në shkallët e vagonit të fundit të treni që po niset”.

Bisedimet treditore në Abu Dhabi këtë javë nuk sollën ndonjë përparim thelbësor, por palët u pajtuan që negociatat të vazhdojnë.

Më pas, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u takua në Dublin me ndërmjetësuesit amerikanë Steve Witkoff dhe Jared Kushner. Sipas Zelenskyt, diskutimet u përqendruan kryesisht te garancitë e sigurisë që mund t’i ofrohen Ukrainës. Ai tha se u përmend edhe ideja e heqjes dorë nga territoret e okupuara pjesërisht në lindje në këmbim të anëtarësimit në NATO.

Sipas një letre nga Kremlini të parë nga The New York Times dhe The Washington Post, pozicioni fillestar i Moskës mbetet në thelb i ngjashëm me atë të para pushtimit të shkallës së plotë gati gjashtë vjet më parë, ndërsa në disa aspekte kërkesat janë edhe më të larta.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme