Biden e cilëson Zelenskyn mosmirënjohës, ndërsa Putinin e krahason me një adoleshent
Ish-presidenti amerikan Joe Biden ka zbuluar detaje nga marrëdhëniet e tij me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, dhe presidentin rus, Vladimir Putin, në librin e tij të kujtimeve me titull Promise Me, America.
Në librin që pritet të publikohet më 17 nëntor, Biden përshkruan tonin që përdorte Putin gjatë takimeve, duke e cilësuar atë si të pakëndshëm dhe shpesh të papjekur, transmeton Telegrafi.
Në veçanti, ish-presidenti amerikan shkruan se udhëheqësit rus i pëlqente të rrinte i mbështetur në karrige gjatë takimeve, duke u shtirur si indiferent, “sikur të ishte një adoleshent”.
Biden ka folur gjithashtu për përvojën e tij në bashkëpunimin me Zelenskyn. Sipas tij, përvoja e presidentit ukrainas në aktrim “rezultoi të ishte një përgatitje shumë e mirë” për ushtrimin e detyrës së tij politike.
Megjithatë, ish-presidenti amerikan shkroi se Zelensky mund të ishte me humor të ndryshueshëm dhe kokëfortë gjatë bisedave private, si dhe “jo aq mirënjohës sa do të kisha pritur”.
Në kujtimet e tij, Biden zbuloi edhe se anëtarë të ekipit të presidentit aktual amerikan, Donald Trump, i kishin kërkuar të nënshkruante një letër që do t'u mundësonte atyre të negocionin drejtpërdrejt me Putinin përpara se Trump të merrte sërish detyrën.
Biden tha se e kishte refuzuar kërkesën, pasi nuk dëshironte t'u jepte atyre “autorizim të pakufizuar” për atë që, sipas pritjeve të tij, do të mund të përfundonte si një lloj kapitullimi në dëm të Ukrainës. /Telegrafi/





























