Kombëtarja e Kosovës ka nisur përgatitjet për përballjen e fundit në këtë edicion të UEFA Nations League, ku të martën do të takohet me Irlandën në Dublin.
Pas barazimit pa gola ndaj Izraelit, “Dardanët” janë rikthyer të dielën në stërvitje, duke e kthyer vëmendjen te sfida vendimtare për pozitën e dytë në Grupin B3.
Seanca stërvitore është zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, ku përzgjedhësi Franco Foda ka pasur në dispozicion 13 futbollistë.
Ndërkohë, lojtarët që ishin titullarë në përballjen ndaj Izraelit kanë zhvilluar ushtrime rigjeneruese në palestrën e hotelit, me qëllim rikuperimin fizik para ndeshjes së radhës.
Kosova do t’i vazhdojë përgatitjet në Dublin, ku të martën do të zhvillojë ndeshjen e fundit të fazës së grupeve.
Përballja ndaj Irlandës pritet të jetë vendimtare për renditjen përfundimtare të “Dardanëve”, të cilët synojnë ta mbyllin me rezultat pozitiv këtë edicion të Ligës së Kombeve.