Tre anije tregtare janë goditur nga dronët në Detin e Zi, pranë kanalit të Sulinës në Rumani, ka bërë të ditur të dielën kryeministri Luca Niculescu. Ai shtoi se forcat ajrore rumune kishin ngritur në fluturim avionë luftarakë në dy raste.

Ministri i Mbrojtjes, Stefan Radu Oprea, tha se nga sulmet e së shtunës në mbrëmje nuk pati viktima. Sipas tij, ekuipazhet e anijeve arritën t’i vinin nën kontroll zjarret që shpërthyen pas goditjeve, transmeton Telegrafi.


Sulmet e fundit janë pjesë e një serie gjithnjë e më të shpeshtë goditjesh ndaj anijeve tregtare pranë Rumanisë dhe Bullgarisë, dy vende anëtare të NATO-s. Zhvillimet tregojnë se lufta detare mes Rusisë dhe Ukrainës po shtrihet në një sfidë gjithnjë e më të madhe për aleancën transatlantike në Detin e Zi.

Kanali i Sulinës është një rrugë e rëndësishme detare për Rumaninë, që lidh lumin Danub me Detin e Zi dhe përdoret nga Ukraina për eksportet e saj.

Zyrtarët rumunë nuk e identifikuan origjinën e dronëve, por thanë se incidentet janë pasojë e drejtpërdrejtë e luftës së Rusisë në Ukrainë.

“Këto incidente janë të papranueshme dhe përbëjnë shkelje të së drejtës ndërkombëtare. Ato pasqyrojnë përkeqësimin e situatës së sigurisë, të shkaktuar nga lufta e vazhdueshme e Rusisë kundër Ukrainës”, deklaroi Niculescu.

Rusia ka mohuar se po shënjestron me dronë vendet fqinje të Ukrainës.

Oprea bëri të ditur se tri anijet e goditura ishin cisterna greke për naftë dhe kimikate, Evia Petrol V, si dhe anija transportuese e mallrave me shumicë Marsol dhe cisterna për produkte nafte Ali Najafov, të dyja me flamurin e Saint Kitts dhe Nevis.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, Evia Petrol V dhe Marsol u goditën përkatësisht katër dhe pesë milje detare në juglindje të kanalit të Sulinës, brenda ujërave territoriale rumune.

Ministri Oprea tha gjithashtu se një tjetër anije mallrash ishte goditur nga një dron të premten në mbrëmje, por edhe në këtë rast nuk pati viktima. Televizioni privat Digi24 raportoi se bëhej fjalë për anijen Larissa 1, e cila lundronte nën flamurin e Palaut.

“Do të martën dhe të mërkurën do të jem në Bruksel për takimin me homologët e mi”, tha Oprea, duke iu referuar ministrave të Mbrojtjes.

“Ne kemi nevojë për solidaritetin e aleatëve tanë, përmes patrullimeve me avionë vëzhgues dhe pajisjeve për luftimin e dronëve”, shtoi ai.

Franca ka zhvendosur përkohësisht në Rumani avionin e patrullimit detar Atlantique 2, pas kërkesës së Bukureshtit për përforcime.

Shumë prej anijeve të goditura gjatë muajve tetor dhe nëntor ishin të ankoruara pranë kanalit të Sulinës ose po lundronin drejt tij apo larg tij. /Telegrafi/