Një defekt teknik në sistemin e komunikimit të kontrollit ajror në Shtetet e Bashkuara, që çoi në pezullimin e të gjitha fluturimeve në vend më 13 nëntor, dyshohet se është shkaktuar nga një ruter i vetëm. Pajisja ishte instaluar nga kompania kontraktore qeveritare L3Harris, ndërsa autoritetet vijojnë hetimet për të përcaktuar shkakun e saktë të incidentit.

Problemi preku komunikimet në 17 nga 22 qendrat e kontrollit të trafikut ajror të FAA-së, duke krijuar paqëndrueshmëri në transmetimin e të dhënave mes avionëve, radarëve dhe strukturave të kontrollit. Për shkak të pamundësisë për të identifikuar menjëherë burimin e defektit, autoritetet vendosën të ndalonin përkohësisht të gjitha fluturimet për arsye sigurie.

Sipas hetimeve paraprake, ruterët e rinj mund të kenë gjeneruar mbi 1 mijë tentativa lidhjeje çdo katër deri në pesë sekonda, duke mbingarkuar pajisjet e tjera të rrjetit dhe duke shkaktuar probleme në komunikim.

Sekretari amerikan i Transportit, Sean Duffy, deklaroi se ende nuk është përcaktuar nëse bëhet fjalë për një gabim njerëzor gjatë instalimit, një problem teknik të pajisjeve apo një defekt të vetë ruterit.

Ndërkohë, kompania L3Harris bëri të ditur se po bashkëpunon me FAA-në për të zbardhur rrethanat e incidentit. Ajo theksoi se ka përfunduar më shumë se 70% të projektit për zëvendësimin e sistemeve të vjetra të komunikimit me teknologjinë moderne të fibrave optike.

Ngjarja ka rikthyer në vëmendje gjendjen e amortizuar të infrastrukturës së kontrollit ajror në SHBA. Sistemet aktuale mbështeten ende në teknologji disa dekada të vjetra, ndërsa mirëmbajtja e rrjetit me kabllo bakri i kushton FAA-së rreth 1 miliard dollarë në vit.

Ky nuk është rasti i parë kur një problem teknik shkakton kaos në transportin ajror amerikan. Në vitin 2023, një ndërprerje 90-minutëshe e sistemit të FAA-së, e shkaktuar nga fshirja aksidentale e disa skedarëve nga një kontraktor, solli vonesa dhe anulime për rreth 11 mijë fluturime.