Aksident me tri automjete në autostradën “Ibrahim Rugova”, katër persona të lënduar

Një aksident trafiku ku janë përfshirë tri automjete ka ndodhur të dielën rreth orës 14:00, në autostradën “Dr. Ibrahim Rugova”, në kilometrin e 40-të, në zonën e Duhlës së Suharekës.
Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, i cili ka bërë të ditur se nga aksidenti janë lënduar katër persona.
Ai ka theksuar se për shkallën e lëndimeve të tyre duhet të kontaktohen shërbimet shëndetësore, ndërsa ekipet përkatëse kanë dalë në vendin e ngjarjes.
“Njësia për Kontroll në Autostrada është marrë me rastin dhe po kryen hetime lidhur me shkaqet e këtij aksidenti”, ka deklaruar Hoxha.
Policia e Kosovës u ka bërë thirrje shoferëve që të jenë të kujdesshëm në trafik, të respektojnë sinjalistikën rrugore dhe ta përshtatin shpejtësinë me kushtet e rrugës.
Po ashtu, Hoxha ka paralajmëruar se Policia do të vazhdojë të ndërmarrë masa për zbatimin e ligjit dhe ndëshkimin e kundërvajtjeve në trafik./Telegrafi/



































