Historitë lokale marrin jetë, të rinjtë nga zonat e Shkodrës sjellin legjendat dhe traditat

Kulturë | 1 minutë më parë

Historitë, legjendat dhe traditat e zonave të ndryshme të Shkodrës u sollën në skenë nga fëmijët dhe të rinjtë gjatë aktivitetit Kuvendi i historive lokale të zhvilluar në hollin e Kinema Republika.

Ky aktivitet shënoi përmbylljen e projektit “Çfarë mbjell sot do ta marrësh nesër” të realizuar nga organizata Dore Albania. Projekti përfshiu 72 fëmijë dhe të rinj të bashkisë Shkodër, të cilët morën pjesë në aktivitete sportive, mjedisore dhe edukative.

“Ky projekt ka nisur një muaj më parë dhe shkolla jonë ka organizuar një shfaqje ku flet për vjetërsinë e zonës tonë, zonën e Dajçit”, informoi një nga aktivistet.

“Ky projekt më ka bërë të mësoj më shumë për zonën time për ta lënë trashëgim brez pas brezi.“, tha një nga pjesëmarrëset në aktivitet.

Organizatorët vlerësojnë rëndësinë e përfshirjes së brezit të ri në aktivitete që promovojnë identitetin dhe vlerat lokale.

“Ishte një aktivitet i cili u shtri përgjatë shtatë muajve. Një projekt mjaft i larmishëm për faktin që sillte ndërhyrje dhe bashkërendim pune me grupe të ndryshme rinore. Këto jo vetëm në qytetin e Shkodrës, por edhe në zonën e Dajçit, në njësinë administrative Dajç, në atë të Gurit të Zi dhe në Hotin pra në Post Ribë.”, tha organizatori Kastriot Faci.

“Sado që të kenë arritur, gjithmonë është nevoja të kemi përsëri e përsëri projekte, sidomos kur këto janë në promovim të vlerave tona të identitetit kombëtar të qytetit tonë si bashki e Shkodrës si dhe të vlerave të natyrës që me të vërtetë Zoti na i ka falë.”, theksoi Tueta Qyteza, zëvendëskryetare, Bashkia Shkodër.

Aktiviteti u përmbyll me shpërndarjen e çertifikatave për grupet pjesëmarrëse duke vlerësuar angazhimin e fëmijëve dhe të rinjve në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë së komuniteteve të tyre.

Gazetar: Marjo Gjini/ Operator: Fisnik Smaja/ Montazhi: Laidan Dani

/rtsh/ 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme