I arrestuar në Itali për atentatin ndaj Lulzim Mashës, SPAK kërkon ekstradimin e “Sakatit”
Zbardhet roli i tij në grupin Dumani-Alibej
Prokuroria e Posaçme ka ndërmarrë hapa për të sjellë në Shqipëri Aleksandër Bahon, i njohur edhe me nofkën “Sakati”, i cili ndodhet i arrestuar në Itali. Baho dyshohet për përfshirje në organizimin e atentatit ndaj biznesmenit Lulzim Masha, pronarit të shkollës private “Wilson” në Tiranë, si dhe për furnizimin me armë të grupit kriminal të drejtuar nga Nuredin Dumani dhe Erjon Alibej.
SPAK i është drejtuar autoriteteve italiane përmes një letërporosie, duke kërkuar ekstradimin e tij drejt Shqipërisë. Ndaj Bahos ishte lëshuar një urdhërarrest ndërkombëtar, ndërsa Gjykata e Posaçme kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për dyshimet mbi përfshirjen e tij në veprimtari kriminale.
Emri i Aleksandër Bahos është përmendur në dëshmitë e dy bashkëpunëtorëve të drejtësisë, Nuredin Dumanit dhe Erjon Alibejt, si dhe në komunikimet e zbardhura në aplikacionin e koduar “Sky”. Sipas hetimeve të SPAK, ai dyshohet se ka luajtur rol në sigurimin e armëve dhe mjeteve të nevojshme për realizimin e atentatit ndaj Mashës.
Dëshmitë e Dumanit dhe Alibejt, si doli në skenë “Sakati”
Aleksandër Baho konsiderohet një person me lidhje të afërta me Nuredin Dumanin dhe Erjon Alibejn. Roli i tij në aktivitetin e grupit kriminal është bërë objekt hetimi pas deklarimeve të dhëna nga dy të penduarit e drejtësisë.
Veçanërisht e rëndësishme për hetuesit rezulton dëshmia e dytë e Nuredin Dumanit, e dhënë në qershor 2023, ku ai përmendi për herë të parë emrin e Bahos në lidhje me atentatin ndaj pronarit të shkollës “Wilson”.
Sipas rrëfimit të Dumanit, Baho kishte udhëtuar drejt Gjilanit të Kosovës për ta takuar dhe i kishte ofruar garanci për pagesën, si dhe sigurimin e armëve që do të përdoreshin në sulmin ndaj biznesmenit.
Në këtë mënyrë, sipas dëshmisë, Aleksandër Baho dyshohet se ka qenë një nga personat që kanë siguruar bazën materiale për realizimin e atentatit. Në këtë kuadër përmenden armët, një motor dhe premtimi për pagesën e autorëve.
Dumani ka pretenduar gjithashtu se Baho e kishte nxitur realizimin e vrasjes edhe si një mënyrë për t’u afruar me Suel Çelën dhe për të krijuar një aleancë me të.
Atentati ndaj Lulzim Mashës dhe pazari prej 150 mijë eurosh
Ngjarja kriminale ndaj Lulzim Mashës lidhet me një konflikt financiar dhe një plan të dyshuar për eliminimin e tij, për të cilin ishte parashikuar një pagesë prej 150 mijë eurosh.
Sipas dosjes hetimore, në organizimin e atentatit dyshohet se kanë pasur role Nuredin Dumani, Henrik Hoxhaj, Skerdi Tasi, Eldi Dizdari dhe Aleksandër Baho.
Plani nuk u realizua, pasi arma që mbante Skerdi Tasi u bllokua në momentin e sulmit, duke bërë që biznesmeni të shpëtonte.
Një tjetër element i rëndësishëm në hetim është dëshmia e Henrik Hoxhajt, një prej bashkëpunëtorëve të drejtësisë në dosjen “Plumbi i Artë”. Para Gjykatës së Posaçme, Hoxhaj ka përmendur Eldi Dizdarin si personin që kishte komunikuar me Nuredin Dumanin për organizimin e vrasjes së Mashës.
Dizdari është një emër i njohur edhe për përfshirjen e dyshuar në ngjarjen e rëndë të 4 tetorit 2018 në ish-Bllok, si dhe për lidhjet e tij të pretenduara me trafikun ndërkombëtar të kokainës nga Amerika Latine drejt Europës.
Në këtë çështje, SPAK ka marrë të pandehur dhe ka dërguar për gjykim edhe Suel Çelën.
Dumani përmend Bahon, por mbetet mister identiteti i porositësit
Një nga pikat që ka mbetur e paqartë në hetimet për atentatin është identiteti i personit që dyshohet se kishte porositur eliminimin e Lulzim Mashës.
Në deklarimet e tij, Nuredin Dumani ka treguar se kontaktin fillestar me këtë person ia kishte siguruar Suel Çela. Më pas, sipas tij, komunikimet për marrëveshjen kishin vijuar përmes aplikacionit të koduar “Matrix”, ku ishte diskutuar edhe pagesa prej 150 mijë eurosh.
Megjithatë, Dumani nuk ka arritur të identifikojë përmes provave konkrete personin me të cilin kishte negociuar përfundimin e marrëveshjes.
Në dëshminë e tij, ai ka përshkruar rolin e disa prej personave që dyshohet se u përfshinë në organizimin e atentatit, duke përmendur Skerdi Tasin, Henrik Hoxhajn, Suel Çelën dhe Aleksandër Bahon. Ndërkohë, emri i Eldi Dizdarit, i përmendur nga Henrik Hoxhaj gjatë procesit gjyqësor, përbën një tjetër element të rëndësishëm të dosjes.
Historia e vëllezërve Baho, një tjetër ngjarje e rëndë në Peqin
Aleksandër Baho është vëllai i Klevin Bahos. Në korrik të vitit 2019, teksa udhëtonin së bashku në zonën e Peqinit, ata u vunë në shënjestër të një sulmi me armë zjarri.
Ngjarja përfundoi tragjikisht: Klevin Baho humbi jetën, ndërsa Aleksandër Baho mbeti i plagosur rëndë.
Vite më vonë, emri i këtij të fundit do të shfaqej në një tjetër dosje të rëndësishme të SPAK, këtë herë në hetimet për atentatin e mbetur në tentativë ndaj biznesmenit Lulzim Masha.
Arrestimi i tij në Itali dhe kërkesa e SPAK për ekstradim pritet të jenë një zhvillim i rëndësishëm për vijimin e hetimeve dhe zbardhjen e plotë të roleve që dyshohet se kanë pasur personat e përfshirë në këtë ngjarje.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



