Nga Xhahid Bushati

19e9aad8 Ed23 43a8 9018 Fc55bf51a890
19e9aad8 Ed23 43a8 9018 Fc55bf51a890

Libri “Kuq e Zi” i shkrimtares Rovena Rrozhani, botuar nga Mediaprint, Tiranë, 2026,  ndërton një urë të bukur ndërmjet historisë, poezisë, gjuhës shqipe dhe edukimit atdhetar të fëmijëve. Veçanërisht interesante është ndërthurja e tri përbërësve: poezisë, grimcave historike dhe lojërave edukative. Kjo e bën librin jo thjesht një përmbledhje poetike për festën e Flamurit, por një udhëtim njohës e emocional në historinë dhe identitetin shqiptar.

KUQ E ZI – KU HISTORIA FLET PËR ISMAIL QEMALIN DHE, DASHURIA PËR SHQIPËRINË, FLAMURIN, ALFABETIN DHE GJUHËN SHQIPE MBETEN PJESË E SHPIRTIT DHE TË SHOQËROJNË GJITHË JETËN, HAP PAS HAPI…

            Rreth librit “Kuq e Zi” të shkrimtares Rovena Rrozhani, Botime Mediaprint, Tiranë, 2026.

Në rrugëtimin e Letërsisë për fëmijë, ka libra që fëmijës i tregojnë një histori, ka libra të tjerë që i mësojnë një poezi, por ka edhe libra që përpiqen t’i japin atij një ndjenjë, një përkatësi dhe një kujtesë që do ta shoqërojë gjatë gjithë jetës. Në këtë kategori do të vendosja librin “Kuq e Zi” të shkrimtares Rovena Rrozhani. Është një libër që e merr fëmijën për dore dhe e çon nëpër disa prej udhëve më të rëndësishme të historisë dhe të identitetit shqiptar: te flamuri, te Pavarësia, te Ismail Qemali, te alfabeti dhe te gjuha shqipe.

Që në titull, “Kuq e Zi”, autorja vendos përballë lexuesit dy ngjyrat që mbartin një histori të tërë kombëtare. Ato nuk janë vetëm ngjyra të një flamuri. Janë shenja të kujtesës, të qëndresës, të bashkimit dhe të përkatësisë. Për fëmijën, kuq e zi mund të jenë fillimisht dy ngjyra që dallohen në një vizatim, por, nëpërmjet poezisë dhe historisë, ato shndërrohen në një simbol me kuptim shumë më të thellë.

Rovena Rrozhani nuk zgjedh një rrëfim të vetëm, të gjatë e tradicional, për t’ia përcjellë historinë lexuesit të vogël. Ajo ndërton një strukturë të veçantë, ku ndërthuren poezia, grimcat historike dhe lojërat. Kjo mënyrë organizimi është një nga veçoritë më të rëndësishme të librit. Fëmija nuk mbetet vetëm dëgjues apo lexues i një informacioni, por bëhet pjesëmarrës në zbulimin e tij. Lexon, mendon, përgjigjet, plotëson, kërkon fjalë, formon fjali dhe rikrijon njohuritë e sapomarra.

Poezia si hyrje në kujtesën kombëtare

Poezia “Vjeshta kuq e zi” e vendos atmosferën e festës në një stinë të veçantë, në vjeshtën shqiptare të Nëntorit. Nëpërmjet pyetjeve që e shoqërojnë, fëmija nxitet të kujtojë stinën e Festës së Pavarësisë, veshjen tradicionale të përmendur në poezi dhe urimin që i drejtohet kësaj dite. Por pyetja më domethënëse është ajo që lidhet me ndjenjën: çfarë ndien kur e lexon poezinë?

Këtu libri kalon nga njohuria te përjetimi. Nuk mjafton që fëmija të dijë datën 28 Nëntor. Është e rëndësishme të kuptojë se përse ajo ditë është e shënuar, çfarë përfaqëson dhe çfarë ndjenjash zgjon te shqiptarët. Historia nuk duhet të mbetet një datë e mësuar përmendësh, por të bëhet pjesë e ndërgjegjes. Një dimension tjetër emocional sjell poezia “Larg Shkova”. Vargjet: “Edhe pse jam larg, / Shumë larg Atdhe, / Në zemër të kam, / Në zemër më ke!” – përmbledhin një ndjenjë të fuqishme të mallit dhe të lidhjes shpirtërore me vendlindjen. Atdheu nuk është vetëm hapësira gjeografike ku njeriu ka lindur. Ai është edhe kujtesa e fëmijërisë, gjuha e nënës, zëri i familjes, këngët, zakonet, festa dhe simbolet që njeriu i merr me vete kudo që shkon. Kjo poezi ka një rëndësi të veçantë edhe për fëmijët shqiptarë që jetojnë larg Shqipërisë. Ajo u përcjell idenë se largësia nuk e shuan përkatësinë. Njeriu mund të largohet fizikisht nga vendi i tij, por nuk është e domosdoshme të largohet shpirtërisht prej tij. Gjuha dhe kujtesa bëhen ura që lidhin brezat me Atdheun.

Nga fjala poetike te fjala historike…

Rubrika “Grimca historike” është një ndërthurje e rëndësishme e librit, sepse plotëson atë që poezia e shpreh nëpërmjet figurës dhe emocionit. Tema si “Gjuha dhe shkolla shqipe” dhe “Rruga drejt Pavarësisë” e çojnë fëmijën drejt njohjes së përpjekjeve të shqiptarëve për të ruajtur gjuhën, kulturën dhe identitetin e tyre. Këto grimca historike kanë një funksion të dyfishtë: informojnë dhe ndërgjegjësojnë. Fëmija mëson se gjuha shqipe nuk është një dhuratë e rastësishme, por një pasuri e trashëguar dhe e mbrojtur nga breza të tërë. Pas saj qëndrojnë përpjekjet e rilindësve, mësuesve, shkrimtarëve dhe patriotëve që e kuptuan se një popull nuk mund ta ndërtojë të ardhmen pa ruajtur gjuhën e vet. Në këtë kontekst, rubrika e lojës “Gjej fjalët: kuq e zi, Shqipëria, xhamadan, flamur, plis, i pavarur, patriot” merr një kuptim përtej argëtimit. Secila fjalë është një shenjë e identitetit. Fëmija mëson jo vetëm kuptimin e saj, por edhe lidhjen që ajo ka me historinë dhe kulturën shqiptare.

5dbffd2f 6e8d 4290 9b2a 956da3534d03
5dbffd2f 6e8d 4290 9b2a 956da3534d03

Nëntori i Kastriotit dhe Qemalit – dy kohë, një kujtesë kombëtare

Një vend të rëndësishëm zë poezia “Nëntori i Kastriotit dhe Qemalit”. Vetë titulli krijon një lidhje simbolike ndërmjet dy figurave madhore të historisë shqiptare: Gjergj Kastriotit-Skënderbeut dhe Ismail Qemalit. Ata u përkasin periudhave të ndryshme historike, por në kujtesën kombëtare përfaqësojnë dy momente themelore të qëndresës dhe të afirmimit të shqiptarëve. Skënderbeu lidhet me luftën për liri dhe me mbrojtjen e vendit, ndërsa Ismail Qemali me aktin historik të Shpalljes së Pavarësisë, më 28 Nëntor 1912. Në këtë mënyrë, Nëntori bëhet një pikë takimi e historisë. Ai nuk kujton vetëm një ngjarje, por mbart jehonën e një përpjekjeje të gjatë kombëtare.

Rubrika historike “Qemali apo Vlora?” dhe ajo për “Fisnikët e Shqipërisë” e zgjerojnë këtë horizont njohjeje. Ndërsa loja “Ngrije flamurin në Vlorë” e vendos fëmijën në një marrëdhënie simbolike me qytetin ku u shpall Pavarësia. Loja nuk është më thjesht një veprimtari zbavitëse; ajo shndërrohet në një mënyrë për të përvetësuar një ngjarje historike.

Flamuri, alfabeti dhe gjuha – tri shtylla të identitetit

Në poezitë “Vizatimi më i bukur”, “Festa e flamurit”, “Në zemrën time”, “Sekreti i flamurit” dhe “F si Flamuri”, autorja i rikthehet disa herë simbolit të flamurit. Ky përsëritim nuk është i rastësishëm. Flamuri është boshti që bashkon pjesët e ndryshme të librit. Ai paraqitet si simbol i përkatësisë, por edhe si një kujtesë e gjallë e historisë. Fëmija mund ta vizatojë, ta ngjyrosë, ta përshkruajë, të shkruajë për të dhe të krijojë fjali që lidhen me të. Nëpërmjet këtyre veprimtarive, flamuri bëhet një përvojë personale dhe jo vetëm një objekt që shihet gjatë festimeve. Veçanërisht e rëndësishme është lidhja e tij me alfabetin dhe gjuhën shqipe. Në rubrikën “Grimca historie: Një alfabet për gjuhën shqipe”, libri i drejton fëmijët drejt një prej ngjarjeve më të rëndësishme të historisë sonë kulturore: “Dokumenti i Greçës, që u bë programi kombëtar i kryengritjeve shqiptare”.. Kjo temë është thelbësore për edukimin e brezit të ri. Flamuri përfaqëson simbolin e shtetit dhe të kombit, ndërsa gjuha përfaqëson një nga themelet e identitetit të tij. Një popull e ruan kujtesën jo vetëm nëpërmjet monumenteve dhe dokumenteve, por edhe nëpërmjet fjalës së shkruar, të folur dhe të trashëguar. Loja “Gjej fjalë me dy rrokje”, veprimtaria me shkronjën F dhe formimi i një teksti për flamurin, si dhe ushtrimet për gjetjen e rrokjeve dhe formimin e fjalëve, krijojnë një lidhje të natyrshme ndërmjet edukimit gjuhësor dhe edukimit atdhetar. Këtu qëndron edhe një vlerë pedagogjike e librit: fëmija nuk mëson ta dojë gjuhën shqipe vetëm duke dëgjuar se ajo është e bukur dhe e rëndësishme. Ai mëson ta dojë duke e përdorur, duke lexuar, duke shkruar dhe duke zbuluar pasurinë e saj.

Ismail Qemali – figura historike që bëhet pjesë e botës së fëmijës

Në disa pjesë të librit, Ismail Qemali del si figura qendrore e rrëfimit historik. Poezitë “Me 28 Nëntor”, “Nata para Pavarësisë”, “Fjala e Ismail Qemalit”, “Deklarata e Pavarësisë” dhe “Një ditë pas Pavarësisë” krijojnë një vijimësi tematike që e ndihmon fëmijën të kuptojë jo vetëm aktin e shpalljes së Pavarësisë, por edhe atmosferën historike që e parapriu dhe pasojat e tij. Veçanërisht domethënëse është “Nata para Pavarësisë”, e lidhur me “Natën pa gjumë të Ismail Qemalit”. Kjo temë e afron figurën historike me dimensionin njerëzor. Fëmija nuk sheh vetëm burrin e shtetit, por edhe njeriun që përballet me përgjegjësi të mëdha në një çast vendimtar për fatin e vendit. Përmes poezisë “Fjala e Ismail Qemalit” dhe rubrikës për imazhin e Skënderbeut, autorja krijon një vazhdimësi simbolike ndërmjet historisë së hershme dhe asaj moderne shqiptare. Edhe “Deklarata e Pavarësisë” dhe “Një ditë pas Pavarësisë” kanë rëndësi të veçantë. Ato i japin fëmijës mundësinë të kuptojë se historia nuk përbëhet vetëm nga çaste solemne, por edhe nga përgatitje, shqetësime, vendime, komunikime dhe përgjegjësi.

Loja e deshifrimit të alfabetit mors, e vendosur pranë temës “Mesazhe pa internet dhe celularë?”, është një mënyrë interesante për ta lidhur të kaluarën me përvojën e sotme të fëmijës. Ajo e nxit të kuptojë se komunikimi njerëzor ka pasur forma të ndryshme dhe se teknologjia e sotme nuk është e vetmja mënyrë për të përcjellë mesazhe.

Historia nuk është vetëm e kaluara, por edhe një mënyrë për të kuptuar të tashmen…

Rubrika “Shpresa dhe zhgënjime”, “Libri i kuq (Dokumenti i Greçës)”, “Shpëtimi i Shqipërisë”, “Pavarësia – ëndërr e kahershme”, “Shqiptar i përkryer” dhe “Duam gjuhën tonë” dëshmojnë se libri synon të hapë një hapësirë më të gjerë njohjeje. Nëpërmjet këtyre temave, fëmija kupton se Pavarësia nuk erdhi si një dhuratë e papritur. Ajo ishte fryt i një historie të gjatë përpjekjesh, idealesh, sakrificash dhe aspiratash. Këtu libri fiton një vlerë edukative të veçantë. Ai nuk e paraqet atdhedashurinë si një ndjenjë të kufizuar në ditët e festave. Përkundrazi, e lidh atë me njohjen e historisë, me respektin për gjuhën, me përgjegjësinë qytetare dhe me dëshirën për të kontribuar në të ardhmen e vendit. Veprimtaria “Shkruaj një letër për Atdheun” është veçanërisht domethënëse. Ajo e fton fëmijën të shprehë me fjalët e veta marrëdhënien me vendin ku jeton ose prej nga vjen familja e tij. Kështu, Atdheu nuk mbetet një koncept abstrakt, por bëhet një adresë e zemrës.

Fotografitë dhe profili i Ismail Qemalit – dokumenti që plotëson fjalën

Një vlerë plotësuese e librit është përfshirja e fotografive nga jeta dhe formimi i Ismail Qemalit, si dhe një profili kushtuar figurës së tij. Fotografia ka një funksion të veçantë në librat për fëmijë. Ajo e bën historinë më të prekshme, e afron personazhin historik me lexuesin dhe i jep atij mundësinë të krijojë një përfytyrim konkret për njeriun që deri atëherë mund ta ketë njohur vetëm nga tekstet shkollore ose nga përmendjet në ceremonitë festive.

Profili i Ismail Qemalit plotëson këtë njohje, duke e vendosur figurën e tij në një kontekst biografik dhe historik. Kështu, fëmija mund të lidhë emrin, portretin, jetën dhe veprën e një personaliteti me ngjarjen e madhe të 28 Nëntorit 1912.

Loja si metodë pedagogjike dhe si mënyrë e të nxënit

Një nga meritat e strukturës së “Kuq e Zi” është se loja nuk paraqitet si diçka e shkëputur nga përmbajtja, por si vazhdim i saj. Fjalëkryqet, formimi i fjalëve, gjetja e rrokjeve, krijimi i fjalive me shkronjën F, deshifrimi i alfabetit mors, identifikimi i vendeve ku ndodhen bustet, monumentet, muzetë dhe sheshet kushtuar Pavarësisë dhe Ismail Qemalit, janë veprimtari që kërkojnë vëmendje dhe pjesëmarrje. Në këtë mënyrë, libri ndërton një metodë të të nxënit përmes ndërveprimit. Fëmija nuk e merr të gatshme çdo njohuri, por nxitet ta zbulojë vetë. Ky është një parim i rëndësishëm pedagogjik: njohuria bëhet më e qëndrueshme kur fëmija merr pjesë aktivisht në përvetësimin e saj. Ai nuk mëson vetëm përmendësh, por lidh, krahason, zbulon dhe krijon. Edhe pyetjet që shoqërojnë poezitë kanë rëndësi. Ato nuk kërkojnë vetëm përgjigje faktike, por në disa raste e nxisin fëmijën të shprehë mendimin dhe emocionin personal. Kështu, leximi bëhet një proces komunikimi ndërmjet autorit, tekstit dhe lexuesit të vogël.

Dashuria për Atdheun – nga ndjenja te përgjegjësia

Mesazhi kryesor që përshkon librin është dashuria për Shqipërinë dhe respekti për historinë e saj. Por kjo dashuri nuk duhet kuptuar vetëm si krenari për të kaluarën. Ajo duhet të jetë edhe përgjegjësi për të tashmen dhe për të ardhmen. Ta duash Shqipërinë do të thotë të respektosh gjuhën shqipe, të njohësh historinë, të ruash trashëgiminë kulturore, të vlerësosh njerëzit që kanë kontribuar për vendin dhe të përpiqesh që shoqëria ku jeton të bëhet më e mirë.

Fëmija duhet të kuptojë se flamuri nuk nderohet vetëm kur valëvitet në sheshe, por edhe kur njeriu e nderon vendin me punën, dijen, ndershmërinë dhe sjelljen e tij. Në këtë kuptim, “Kuq e Zi” është edhe një ftesë për familjen dhe shkollën. Prindërit, mësuesit dhe bibliotekarët mund ta përdorin librin si një pikënisje për biseda mbi historinë, gjuhën, traditat dhe simbolet kombëtare. Ai mund të krijojë hapësirë për lexime me zë, vizatime, diskutime, kërkime të vogla historike dhe veprimtari krijuese.

Një flamur në libër, një Atdhe në zemër…

“Kuq e Zi” i shkrimtares Rovena Rrozhani është një libër që e vendos fëmijën përballë një trashëgimie të çmuar kombëtare. Nëpërmjet pesëmbëdhjetë poezive, grimcave historike, fotografive, profilit të Ismail Qemalit dhe lojërave edukative, autorja krijon një udhëtim ku fjala poetike bashkëjeton me njohurinë historike dhe me përvojën e të nxënit.

Libri na kujton se Ismail Qemali nuk duhet të mbetet vetëm një emër në faqet e historisë, se flamuri nuk duhet të jetë vetëm një simbol në ditët festive dhe se alfabeti nuk duhet të jetë vetëm një renditje shkronjash. Të gjitha këto janë pjesë të një kujtese të përbashkët që duhet të jetojë përmes brezave. Ndoshta kjo është edhe vlera më e bukur e librit: ta bëjë fëmijën të kuptojë se dashuria për Atdheun nuk lind vetëm nga fjalët e mëdha, por nga njohuritë e vogla që mblidhen çdo ditë, nga një poezi e lexuar, nga një fjalë shqipe e shkruar drejt, nga një histori e dëgjuar, nga një flamur i vizatuar dhe nga një pyetje që kërkon përgjigje. Sepse një fëmijë që mëson të njohë historinë e vendit të vet, mëson edhe të kuptojë më mirë vetveten. Ai rritet me vetëdijen se i përket një gjuhe, një kulture dhe një historie, të cilat nuk duhet t’i harrojë kurrë. Dhe kur të kalojnë vitet, kur ai të largohet ndoshta nga vendlindja, kur të udhëtojë në vende të tjera dhe të takojë kultura të ndryshme, dy ngjyrat e flamurit do të vazhdojnë ta shoqërojnë. Jo si një kujtim i largët, por si një pjesë e identitetit të tij.

Ta duam Shqipërinë, ta njohim historinë e saj, ta ruajmë gjuhën shqipe dhe të mos e harrojmë kurrë 28 Nëntorin!

Ky është mesazhi atdhetar e edukativ që përcjell libri “Kuq e Zi” dhe që Rovena Rrozhani ia beson lexuesit të vogël, me shpresën se ai do ta marrë me vete, hap pas hapi, gjatë gjithë jetës.

Disa këndvështrime plotësuese…

Mendoj se libri mund të vështrohet edhe nëpërmjet tri ideve më të thella:

  1. Flamuri si simbol dhe si kujtesë ndërbreznore.

Flamuri nuk është vetëm një shenjë që bashkon njerëzit në një festë. Ai është një simbol që lidh të shkuarën me të tashmen dhe të tashmen me të ardhmen. Fëmija që e njeh historinë e flamurit bëhet bartës i kujtesës së tij.

  1. Gjuha shqipe si atdhe që njeriu e merr me vete.

Këtu do të veçoja poezinë “Larg Shkova”. Ajo hap një perspektivë të bukur: njeriu mund të jetojë larg Shqipërisë, por gjuhën, kujtesën dhe dashurinë për vendin i mban brenda vetes. Gjuha është një atdhe shpirtëror që nuk përcaktohet nga largësia gjeografike.

  1. Edukimi atdhetar pa ngurtësi didaktike.

Rovena Rrozhani zgjedh një mënyrë tërheqëse për t’iu afruar fëmijës: poezinë, lojën, pyetjen, fotografinë dhe zbulimin. Kjo është e rëndësishme, sepse atdhedashuria nuk duhet t’i imponohet fëmijës si një formulë. Ajo duhet të kultivohet përmes njohjes, përjetimit dhe dashurisë.

Flamuri na mëson për historinë, gjuha na mëson të ruajmë identitetin, ndërsa dashuria për Atdheun na mëson të mos harrojmë kurrë se kush jemi.

Libri “Kuq e Zi” meriton të lexohet edhe si një përpjekje për të mbjellë te brezi i ri dashurinë për historinë, flamurin dhe gjuhën shqipe. Dhe kjo është meritë e vlertë e shkrimtares së talentuar Rovena Rrozhani.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb