Gjergj Hani ka ndërruar jetë në moshën 57-vjeçare dy ditë më parë.  Në ditën e vdekjes së tij Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit ka publikuar disa informacione rreth rrugëtimit të tij dhe një foto gjatë arrestimit të parë në vitin 1985, vetëm kur ishte 16-vjeç.

Regjimi komunist e shpalli tradhtar të atdheut, sepse kishte guxuar të kërkonte lirinë përtej kufirit. Ai u qëllua me kallashnikov teksa përpiqej të arratisej. Më pas ai u dënua dhe u dërgua të punonte në minierat e Qafë Barit. Më pas do të arrestohej sërish, për të kaluar një pjesë të rinisë pas hekurave të burgjeve politike.

Gjithçka nisi natën e 27 majit 1985. Në orën 23:30, 16-vjeçari tentoi të arratisej përmes liqenit në zonën e Linit, në Pogradec. Dritat e postës kufitare e zbuluan dhe ndaj tij u hap zjarr me kallashnikov. Për t’i shpëtuar vdekjes, u detyrua të dorëzohej.

Regjimi vendosi ta kthente dënimin e tij në një shembull publik. Gjyqi u zhvillua përpara kolektivit të shkollës “Naim Frashëri” në Durrës, ku adoleshenti u akuzua për tradhti ndaj atdheut. Më 1 korrik 1985, Gjykata e Durrësit e dënoi me pesë vjet burg.

Ai u dërgua në burgun famëkeq të Qafë Barit, ku, megjithëse ende i mitur, u detyrua të punonte në minierë. Më pas u lirua më 13 janar 1986, falë amnistisë së përgjithshme.

Por përndjekja nuk kishte përfunduar. Më 24 korrik 1987, Gjergj Hani u arrestua përsëri në Durrës. Këtë herë u akuzua sërish për tradhti ndaj atdheut, edhe pse nuk kishte ndërmarrë asnjë përpjekje për arratisje.

Në nëntor 1987, gjykata e dënoi me 11 vjet burg. E kthyen sërish në Qafë Bari, aty ku kishte kaluar një pjesë të adoleshencës. Liria do të vinte vetëm më 6 shkurt 1991, kur regjimi komunist po jetonte muajt e fundit të ekzistencës së tij. Një muaj më vonë, Gjergj Hani emigroi në Itali, në kërkim të asaj lirie për të cilën ishte burgosur dy herë në Shqipëri.

Postimi i plotë

Një 16-vjeçar në Qafë Bari. Lamtumirë, Gjergj Hani! Në këtë fotografi, Gjergj Hani është 16 vjeç. Është fotografia e arrestimit të tij të parë, në maj të vitit 1985. Ajo ruhet në dosjen formulare nr. 5431, të kategorisë 2/A, në Arkivin e Autoritetit të Dosjeve. Ishte vetëm 16 vjeç kur e dërguan në burgun e Qafë Barit, ku punoi në minierë. Pas lirimit me amnisti, u arrestua sërish dhe u kthye në të njëjtin burg. Në të dyja burgimet, Gjergj Hani kaloi rreth katër vjet e dy muaj pas hekurave.”

Kur më 12 nëntor 2026, kur Gjergj Hani u nda nga jeta, e sjellim këtë fotografi bashkë me historinë që ruajnë dokumentet e dosjes së tij. Mbrëmjen e 27 majit 1985, rreth orës 23:30, Gjergji hyri në ujërat e liqenit të Pogradecit, në zonën e Linit. Kishte vendosur të kalonte me not kufirin me Jugosllavinë. Sipas vendimit gjyqësor, roja kufitare e pikasi dhe i bëri thirrje të ndalonte. Gjergji vazhdoi të notonte. Roja qëlloi me breshëri në drejtim të tij. Nga frika se mos vritej, ai u kthye në breg, ku e ndaluan ushtarët e kufirit.

Vendimi u shpall para kolektivit të shkollës “Naim Frashëri” në Durrës, ku Gjergji kishte qenë nxënës. Më 1 korrik 1985, Gjykata e Rrethit Durrës e dënoi me pesë vjet heqje lirie për “tradhti ndaj atdheut në formën e arratisjes jashtë shtetit”, të mbetur në tentativë. Në arsyetimin e vendimit, gjykata përmendi se ai ndiqte programet e televizionit jugosllav dhe se shpresonte të shkonte te një i afërm në Austri. Dënimin e vuajti në Qafë Bari, ku punoi në minierë. Më 13 janar 1986 u lirua me amnisti.

Dosja formulare vijon edhe pas daljes së tij nga burgu. Sigurimi i Shtetit vazhdoi ta mbikëqyrte dhe të mblidhte dëshmi për bisedat e tij. Në njërën prej tyre, Gjergjit i atribuohen fjalët “Do të arratisemi” dhe pohimi se jashtë shtetit jetohej më mirë.

Në vitin 1987, Gjergj Hani u arrestua sërish në Durrës. Më 16 nëntor të atij viti u dënua me 11 vjet heqje lirie dhe u kthye në Qafë Bari. Doli nga burgu me amnistinë e 6 shkurtit 1991. Një muaj më pas emigroi në Itali.

Gjergj Hani u njoh me dokumentet qe Sigurimi i Shtetit kishte krijuar per te ne maj te vitit 2019. Gjergj Tomor Hani ishte 57 vjeç kur u nda nga jeta. Ngushëllime familjes dhe të gjithë atyre që e njohën.