Një moment mjaft emocional është përjetuar në studion e “Goca dhe Gra”, ku moderatorja Fjoralba Ponari ka folur për herë për humbjen e nënës dhe boshllëkun që ajo ka lënë në jetën e saj.
Mes emocionesh, Ponari u përpoq të përshkruante mënyrën se si e përjeton largimin e një personi kaq të shtrenjtë, duke e cilësuar dhimbjen si diçka që nuk zhduket kurrë, por me të cilën njeriu mëson të jetojë.
Moderatorja e krahasoi këtë mungesë me një gur që mbetet në zemër, ndërsa tregoi se për afro një vit pas humbjes nuk e kishte parë të ëmën as në ëndërr.
Ajo kujtoi edhe një moment të veçantë, kur më në fund e pa në ëndërr dhe pati ndjesinë se arriti të çmallej me të, duke marrë edhe fjalët që kishte aq shumë nevojë të dëgjonte.
“Humbja e çfarëdo lloj njeriu të afërt është e rëndë dhe lë gjurmë, aq më shumë humbja e nënës. E di si e shoh unë? E shoh si një gur në zemër, që disa njerëz e marrin për poshtë dhe disa njerëz e hapin zemrën dhe bashkëjetojnë me të.
Për thuajse një vit nuk e kam parë as edhe një natë në ëndërr. Pastaj pata një moment që më vizitoi, u çmallëm me të. Ndoshta mora edhe ato fjalët që zemra ime lëngonte t’i dëgjonte prej saj. Do të doja të më vizitonte më shpesh. Kjo është forma alternative.
Ndoshta është një fantazi e mendjes sime, ndoshta vjen vërtet e më viziton”, u shpreh Fjoralba, duke përlotur me rrëfimin e saj.
