I ftuar në një lidhje Skype në SYRI TV, analisti Genc Burimi komentoi mbledhjen e Asamblesë së Partisë Socialiste dhe mesazhet e Edi Ramës, duke u shprehur se kryeministri po bën një llogari të gabuar kur mendon se e ka kaluar rrezikun politik dhe se protestat qytetare nuk përbëjnë më kërcënim për pushtetin e tij.
Burimi tha se Rama ka sot tri shpata Damokleu mbi kokë: protestën qytetare, e cila nuk ka më afat dhe ka si synim rrëzimin e tij; SPAK-un, përballë të cilit po shtohen pikëpyetjet për pandëshkueshmërinë e zyrtarëve të lartë; dhe ndërkombëtarët, të cilët nuk do të mund ta tolerojnë pafundësisht situatën aktuale.
Burimi theksoi se protestat kanë një rëndësi të veçantë, pasi tërheqin vëmendjen e mediave ndërkombëtare dhe përmes tyre çështja shqiptare mund të mbërrijë në kancelaritë perëndimore.
Ai solli në vëmendje edhe raportimet e Reuters për protestat në Shqipëri, duke nënvizuar se presioni ndërkombëtar është një tjetër faktor që rëndon mbi qeverinë Rama.
Pjesë nga intervista:
Mbledhja e Asamblesë së PS-së na tregoi se Rama bën llogarinë e gabuar, duke menduar se e ka lënë pas rrezikun që për të paraqiste, sipas tij, protesta e flamingove dhe studentëve.
Pashë një Ramë revanshist, domethënë, për t’u dhënë hov dhe zemër trupave të tij: “Kemi fituar, asgjë nuk na ndodhi, vazhdojmë përpara tani me lokalet. Edhe ata që fshiheshin gjatë protestave dua t’i shoh në terren”. Ky ishte pak a shumë mesazhi i Ramës, që për mua është mesazh i gabuar, sepse në momentin që ai fliste, populli ishte sërish në rrugë dhe kjo do të vazhdojë.
Dhe Rama sot ka një shpatë të trefishtë të Damokleut mbi kokë. Pra, kjo protestë që zgjat, që nuk ka më afat, nuk ka më plan. Ky e ka një plan: kërkon të shkojë deri në zgjedhjet legjislative të vitit 2029. Kjo protestë nuk ka asnjë plan, përveçse rrëzimin e tij.
Rreziku i dytë për të është SPAK-u, se, sido që po vjen puna, laku ngushtohet jo vetëm rreth fytit të Ramës, por edhe të SPAK-ut, sepse SPAK-u u krijua në emër të pandëshkueshmërisë, kur sot dy kokat që kanë qeverisur dhe qeverisin shtetin shqiptar, gjithçka në Shqipëri, që janë Rama dhe Balluku, janë të paprekshme.
Dhe kërcënimi i tretë i shpatës janë ndërkombëtarët. Nuk e di se sa kohë do t’ua japin ndërkombëtarët kësaj farse.
Ndërkombëtarët përfshijnë tri kategori, nga më e ulëta te më e larta. Ndërkombëtarët e nivelit më të ulët janë shtypi, mediat perëndimore.
Pasi ndodhi humbja e zgjedhjeve të majit 2025, doli raporti i OSBE/ODIHR-it, që ishte shkatërrues për mazhorancën dhe Ramën për përdorimet buxhetore. Dhe kur PD-ja filloi lëvizjet në rrugë, kishte më parë, por i shumëfishoi protestat. Shpesh debatoja nëpër ekrane kur më thoshin: “Çfarë vlere ka?”. Unë thoja: “Ka vlerë, sepse këto protesta do të tërheqin vëmendjen e mediave ndërkombëtare”. Dhe media ndërkombëtare është shkalla e parë për të shkuar te shkalla e tretë, që janë kancelaritë.
Dhe mbaj mend që ka qenë, më duket, në nëntor, ka qenë Reuters-i që thoshte: “Në Shqipëri, shqiptarët po ngrihen kundër korrupsionit dhe vjedhjeve të zgjedhjeve”.
© SYRI.net