Tentativë për sabotim ndaj një kompanie që prodhon dronë ushtarakë, Estonia mbyll të gjitha pikat kufitare me Rusinë nga 1 dhjetori

15/11/2026 17:40

Estonia ka vendosur të mbyllë të gjitha pikat e kalimit kufitar me Rusinë nga 1 dhjetori 2026, pas një tentative të dyshuar për sabotim ndaj një kompanie estoneze që prodhon dronë ushtarakë.

Ministri i Jashtëm i Estonisë, Margus Tsahkna, njoftoi se vendimi përfshin të tri pikat kufitare në Narva, Luhamaa dhe Koidula, të cilat aktualisht lejojnë kalimin e këmbësorëve dhe transportit të mallrave.

Vendimi vjen pas arrestimit të tetë shtetasve letonezë, të dyshuar për përpjekjen për të hyrë në ambientet e kompanisë Threod Systems, në afërsi të Talinit, me qëllim shkaktimin e një shpërthimi dhe vënien e zjarrit në objekt. Sipas Shërbimit të Sigurisë së Brendshme të Estonisë (KAPO), sulmi dyshohet se ishte organizuar me urdhër të shërbimit ushtarak të inteligjencës ruse, GRU.

Kryeministri estonez, Kristen Michal, deklaroi se mbyllja e kufirit synon të zvogëlojë rreziqet e sigurisë dhe të parandalojë shfrytëzimin e pikave kufitare nga shërbimet ruse të inteligjencës.

Ndërkohë, ministri i Brendshëm, Igor Taro, bëri të ditur se qytetarët estonezë dhe shoferët e kamionëve që ndodhen në Rusi do të kenë dy javë kohë për t’u kthyer në vend. Ende nuk është përcaktuar nëse mbyllja e kufirit do të jetë e përkohshme apo pa afat të caktuar.

Estonia, anëtare e NATO-s dhe Bashkimit Evropian, e ka cilësuar këtë masë si pjesë të përpjekjeve për të mbrojtur sigurinë kombëtare nga aktivitetet e dyshuara armiqësore të Rusisë.

Top Channel