Tragjedi në Greqi! Bashkëshorti e përplas me kamion, humb jetën 50-vjeçarja
Një grua 50-vjeçare ka humbur jetën tragjikisht në ishullin Alonisos të Greqisë, pasi u përplas nga kamioni që drejtohej nga bashkëshorti i saj, teksa ky i fundit po manovronte për të lëvizur mjetin mbrapsht.
Aksidenti ndodhi rreth orës 14:00 të së dielës, kur çifti kishte shkuar në një zonë të ishullit për të prerë dru. Sipas mediave greke, bashkëshorti nuk e kishte vënë re praninë e gruas gjatë manovrës, duke e përplasur atë me kamion.
50-vjeçarja pësoi dëmtime fatale në kokë dhe ndërroi jetë në vendngjarje.
Viktima ishte me origjinë nga Selaniku, por prej vitesh jetonte në Alonisos me bashkëshortin e saj, me të cilin kishte dy fëmijë.
Pas ngjarjes, 59-vjeçari u shoqërua në komisariatin e policisë së Alonisos dhe pritet të dalë para prokurorisë, në kuadër të procedurave për vrasje nga pakujdesia.




