Pse Gjermania mbetet e shqetësuar pavarësisht rikthimit të rritjes ekonomike?
Edhe pse treguesit zyrtarë konfirmojnë se ekonomia e Gjermanisë i është rikthyer rritjes, atmosfera në qarqet industriale dhe politike të vendit mbetet e zymtë. Gjatë Samitit të Inxhinierisë Mekanike në Berlin, presidenti i Shoqatës VDMA, Bertram Kawlath, u shpreh hapur se pasiguria dhe shqetësimet e biznesit mbeten të larta përballë sfidave të grumbulluara ndër vite.
Sipas parashikimeve të fundit të Këshillit të Ekspertëve Ekonomikë, ekonomia gjermane pritet të shënojë një rritje prej 1.3% për vitin 2026 dhe 1% për vitin 2027.
Megjithatë, siç theksoi edhe kryetarja e këtij këshilli, Monika Schnitzer, “shkalla e rritjes është shumë më poshtë asaj që nevojitet për të siguruar të njëjtin nivel prosperiteti si në dekadat e mëparshme në planin afatgjatë”.
Ndër shqetësimet kryesore të ngritura nga ekspertët dhe qeveria e Kancelarit Friedrich Merz përfshijnë:
Plakja e popullsisë dhe presioni social
Rritja e kostove për sistemin e pensioneve, shëndetësisë dhe kujdesit shoqëror, në një kohë kur numri i personave në moshë pune po zvogëlohet, po ushtron një trysni të vazhdueshme mbi financat publike.
Borxhi dhe detyrimet buxhetore
Plani për buxhetin e vitit 2027 parashikon huamarrje të reja të konsiderueshme. Ekspertët paralajmërojnë se nëse kjo trajektore vazhdon, raporti i borxhit ndaj PBB-së mund të arrijë në 100% deri në vitin 2040, duke rrezikuar edhe statusin e lakmuar të vlerësimit të lartë të kreditit “AAA” të Gjermanisë.
Nevojat për reforma dhe inovacion
Për të siguruar një zhvillim të qëndrueshëm, ekspertët kërkojnë rritjen e produktivitetit të ndërmarrjeve, uljen e burokracisë, si dhe mbështetje më të fortë për startup-et dhe kapitalin sipërmarrës, duke e krahasuar ngecjen aktuale të Gjermanisë në këtë fushë me vendet e tjera të orientuara drejt teknologjisë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



