Vrau shqiptarin për 5 euro, prokuroria në Spanjë kërkon mbi 22 vite burg për autorin, dëmshpërblim 140 mijë euro prindërve dhe 35 mijë euro motrës

15/11/2026 19:08

Një konflikt për vetëm 5 euro dyshohet se i kushtoi jetën shqiptarit Artjol Ramaj, i cili u zhduk në mars të vitit 2023 në Spanjë. Pas më shumë se tre vitesh hetime, çështja pritet të kalojë për gjykim me juri, ndërsa Prokuroria kërkon 22 vite e 5 muaj burg për 52-vjeçarin e dyshuar për vrasjen e tij.

Ngjarja ka ndodhur në zonën e Riudarenes, në provincën e Gironës, ku Ramaj jetonte që nga fundi i vitit 2022 me një 52-vjeçar të njohur me nofkën “El Seco”. Të dy kujdeseshin për një plantacion kanabisi që ndodhej në pronën ku banonin.

Sipas hetimeve, shqiptari u zhduk natën e 2 marsit 2023. Një i njohur i tij njoftoi policinë katalanase, Mossos d’Esquadra, disa ditë më vonë, pasi ishte shqetësuar për mungesën e tij dhe kishte treguar se marrëdhëniet mes dy bashkëbanuesve ishin përkeqësuar, duke pasur edhe konflikte të mëparshme.

Policia arrestoi 52-vjeçarin në banesë për një çështje që lidhej me kultivimin e kanabisit, ndërsa plantacioni u çmontua. Megjithatë, për Artjol Ramajn nuk u gjet asnjë gjurmë. Më 17 prill 2023, rreth një muaj e gjysmë pas zhdukjes, një person që po shëtiste qenin zbuloi mbetje kockore në një zonë të pyllëzuar pranë kompleksit rezidencial Can Fornaca, jo larg banesës ku jetonin dy personat.

Sipas dyshimeve të gjykatësit hetues, 52-vjeçari e kishte sulmuar shqiptarin teksa ai ishte i shtrirë në shtrat dhe nuk priste një sulm. Shkak për konfliktin e fundit dyshohet të ketë qenë një shumë prej 5 eurosh, të cilat i akuzuari pretendonte se Ramaj ia kishte marrë.

Prokuroria pretendon se shqiptari është goditur me dhunë të madhe, duke pësuar edhe traumë në kokë, e cila dyshohet se ishte ndër dëmtimet që i shkaktuan vdekjen. Hetuesit dyshojnë gjithashtu se trupi është transportuar dhe lënë qëllimisht në zonën e pyllëzuar, në mënyrë që kafshët e egra, përfshirë derrat e egër dhe qentë, ta copëtonin dhe të vështirësonin zbulimin e provave.

Në vendin ku u gjetën eshtrat u zbuluan edhe një peshqir, një mbulesë jorgani, një jastëk dhe një qilim me njolla gjaku. Gjurmë gjaku u konstatuan edhe në dhomën e gjumit të shqiptarit, në një furgon që dyshohet se është përdorur për transportimin e trupit, si dhe në një palë pantallona të gjetura në lavatriçen e banesës. Pranë mbetjeve kockore u gjet edhe një thikë. Për shkak të gjendjes së eshtrave dhe shpërndarjes së tyre nga kafshët, ekspertët nuk kanë mundur të përcaktojnë të gjitha dëmtimet që kishte pësuar viktima.

Megjithatë, 52-vjeçari mohon akuzat. Avokatja e tij pretendon se çështja është ndërtuar mbi prova rrethanore dhe një zinxhir dyshimesh, duke kërkuar pushimin e saj. Sipas mbrojtjes, gjurmët e gjakut në banesë dhe në automjet nuk provojnë drejtpërdrejt se klienti i saj ka kryer vrasjen. Pas përfundimit të hetimeve paraprake, gjykata në Santa Coloma de Farners ka vendosur që çështja të kalojë për gjykim me juri.

Përveç 22 viteve e 5 muajve burg për vrasjen, Prokuroria kërkon edhe pesë muaj burg për përdhosjen e kufomës. Prokuroria kërkon gjithashtu dëmshpërblim prej 140 mijë eurosh për prindërit e Artjol Ramajt dhe 35 mijë eurosh për motrën e tij. Sipas saj, familja ka mundur të varrosë vetëm një pjesë të mbetjeve skeletore të të riut, pasi pjesa tjetër nuk është gjetur.

Top Channel