Mbi 9 mijë fluturime të vonuara, Trump: Administrata Biden e përkeqësoi sistemin
Presidenti amerikan Donald Trump ka reaguar për kaosin në trafikun ajror të SHBA-së, që la mijëra pasagjerë të bllokuar dhe shkaktoi anulime e vonesa të shumta fluturimesh.
Në një reagim në rrjetin social “Truth Social”, gati 48 orë pas nisjes së krizës, Trump fajësoi administratën e paraardhësit të tij, Joe Biden, duke pretenduar se ajo e kishte përkeqësuar më tej një sistem të vjetëruar të kontrollit të trafikut ajror.
Ai kërkoi gjithashtu që Kongresi të miratojë urgjentisht fondet për modernizimin e tij.
Trump shkroi: “Administrata Biden ishte një katastrofë e FAA-së. Çdo gjë që ata prekën u përkeqësua. Para të mëdha të shpenzuara pa mençuri, duke e bërë një sistem të vjetër dhe të prishur më keq se kur filluan.”
Presidenti shtoi: “Ne kemi njohuritë dhe planin për Sistemet e Kontrollit të Fluturimit, kemi nevojë që Kongresi të japë paratë, SHPEJT! FAA jonë po bën një punë të shkëlqyer dhe është gati të fillojë.”
“Nëse Kongresi miraton fondet tejet të nevojshme për Kontrollin e Trafikut Ajror, ne mund ta ndërtojmë atë shpejt dhe me efikasitet. Do të jetë SISTEMI MË I MIRË në mbarë botën. Një pjesë e madhe e sistemit tonë aktual të kontrollit ajror është 50 vjeç – E ABSURDE! Ne e kemi nisur tashmë punën, por ajo duhet të kryhet e gjitha menjëherë, e jo me faza të shkëputura e të fragmentuara. Kongresi duhet ta miratojë. Administrata Biden e ka kthyer situatën pas me vite të tëra!”
Në postimin e tij, Trump kritikoi gjyqtaren e qarkut, Ana C. Reyes, për pengimin e administratës së tij që të procedonte me shpejtësi me rinovimin e “East Potomac Golf Links” , një park publik dhe fushë golfi me sipërfaqe prej afro 400 akrash përgjatë lumit Potomac, të cilin presidenti e ka quajtur “Ishulli i Plehrave” (Trash Island).
Sekretari i Transportit, Sean Duffy, deklaroi se ndërprerja masive e shërbimit lidhej me një kontraktor që po zëvendësonte telat e vjetër prej bakri të një sistemi të amortizuar.
Para mesazhit të tij në rrjetet sociale të dielën, Trump në një prononcim për korrespondentin e “Fox News”, Peter Doocy, të premten vonë ishte shprehur vetëm se fajin e kishin “gjëra të vjetra e të prishura”.




