Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka përshëndetur në një postim në Facebook ndërhyrjen e përbashkët të Policisë së Kosovës, Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë dhe Prokurorisë kundër një grupi të organizuar kriminal që trafikonte dhe shpërndante kokainë në rajonin e Prishtinës.
Sipas Sveçlës, gjatë operacionit të koduar “Heshtja” u arrestuan gjashtë persona të dyshuar. Autoritetet sekuestruan rreth 1.6 kilogramë kokainë, lëndë të tjera narkotike, mes tyre marihuanë dhe ekstazi, si edhe asete me vlerë të përgjithshme prej rreth 301 mijë eurosh.
Të lidhura
None found
Ministri u shpreh se rezultatet e aksionit tregojnë sa të rëndësishme janë hetimet profesionale dhe bashkëpunimi mes institucioneve për të luftuar krimin e organizuar.
Ai theksoi se përballja me këtë dukuri, e cila ndikon te e gjithë shoqëria dhe veçanërisht te të rinjtë, do të vijojë pa ndërprerje dhe pa kompromis. Sveçla shtoi se institucionet e Republikës së Kosovës do të vazhdojnë të mbështesin e të fuqizojnë punën e institucioneve të sigurisë dhe të zbatimit të ligjit, për të goditur grupet kriminale në çdo nivel të organizimit të tyre.








