Shqipëria e mbyll në mënyrën më të mirë aventurën në Grupin 1 të Ligës C të Ligës së Kombeve.
Kuqezinjtë kanë mposhtur 0-2 Bjellorusinë, duke siguruar vendin e parë në grup dhe duke u ngjitur në Ligën B pas një fushate pozitive, ku regjistruan një humbje dhe pesë fitore.
Skuadra kuqezi arriti të imponojë lojën e saj dhe të marrë një sukses të rëndësishëm, me dy gola të shënuar nga Rey Manaj dhe Elseid Hysaj, të cilët vulosën fitoren ndaj bjellorusëve.
Goli i parë erdhi në minutën e 28-të. Rey Manaj mori një top në kufijtë e zonës dhe lëshoi një goditje të fuqishme, duke mposhtur portierin kundërshtar dhe duke kaluar Shqipërinë në avantazh.
Në pjesën e dytë, Bjellorusia u përpoq të reagojë, duke marrë më shumë kontrollin e lojës dhe duke kërkuar golin e barazimit.
Megjithatë, Shqipëria arriti të godasë sërish në minutën e 57-të. Elseid Hysaj depërtoi nga krahu i djathtë dhe provoi me një goditje drejt portës, me topin që u devijua dhe përfundoi në rrjetë për golin e dytë të kuqezinjve.
Një moment i rëndësishëm i takimit ishte edhe minuta e 63-të, kur arbitri akordoi një penallti për Shqipërinë pas rrëzimit të Laçit në zonë. Megjithatë, pas ndërhyrjes së VAR-it, vendimi u anulua për pozicion jashtë loje gjatë aksionit.
Në minutat e mbetura, kuqezinjtë administruan avantazhin, ndërsa trajneri bëri edhe ndryshimet e fundit, me Uzunin dhe Hasën që zbritën në fushë në vend të Laçit dhe Hoxhës.













