Bota

Panik në avionin nga Islanda drejt Milanos, pasagjeri i dehur merr me vete thikën e kuzhinës

Momente tensioni janë regjistruar në një fluturim të kompanisë ajrore easyJet nga Islanda drejt Milanos, pasi një pasagjer në gjendje të dehur u konstatua me një thikë kuzhine në bord.

Ngjarja ndodhi në fluturimin që u nis nga aeroporti ndërkombëtar Keflavík i Islandës dhe kishte destinacion aeroportin Malpensa të Milanos. Sipas mediave italiane, pasagjeri filloi të bërtiste dhe sjellja e tij shkaktoi shqetësim te udhëtarët dhe ekuipazhi. Prania e thikës në duart e tij e bëri situatën edhe më shqetësuese.

Megjithatë, nuk ka të dhëna se ai ka tentuar të përdorë thikën për të kërcënuar apo sulmuar ndonjë pasagjer ose pjesëtar të ekuipazhit.

Pak para uljes në Milano, pilotët njoftuan kontrollin e trafikut ajror për incidentin dhe kërkuan që policia të ishte e pranishme në aeroport pas mbërritjes së avionit.Ekuipazhi arriti ta menaxhonte situatën gjatë fluturimit, ndërsa avioni u ul pa probleme në aeroportin Malpensa, ku e prisnin autoritetet italiane.

Fatmirësisht, nuk raportohet për persona të lënduar dhe as për pengesa në funksionimin e aeroportit. Kompania easyJet, në reagimin e saj, theksoi se nuk toleron sjellje të tilla në bord dhe se siguria e pasagjerëve dhe ekuipazhit mbetet përparësia kryesore.

Ndërkohë, mbeten ende të paqarta rrethanat se si pasagjeri arriti të hipte në avion duke pasur me vete një thikë.

JavaScript is required for tabnav widget to work properly.