Katër shqiptarë janë dënuar me nga tre vite burg në Francë, pasi janë shpallur fajtorë për një sërë vjedhjesh dhe tentativash për grabitje në banesa të ndryshme. Sipas mediave franceze, vendimi është dhënë më 13 nëntor nga Gjykata e Colmarit, pas një hetimi të zhvilluar nga autoritetet franceze. Nga hetimet rezultoi se të akuzuarit kishin vepruar në disa zona të vendit, duke hyrë në banesa dhe duke marrë sende me vlerë. Pavarësisht se të katër të pandehurit kanë mohuar vazhdimisht përfshirjen në vjedhje, gjykata vendosi t’i shpallë fajtorë dhe t’i dënojë secilin me tre vite burg. Ndër episodet e dokumentuara është edhe një tentativë vjedhjeje në Turckheim, ku autorët dëmtuan grilat elektrike dhe dritaret e një banese. Për të hyrë brenda, ata përdorën edhe një darë për skarë, të cilën e morën nga kopshti i shtëpisë. Pasi hynë, përmbysën sendet dhe orenditë, por nuk arritën të merrnin asgjë. Një tjetër rast u regjistrua në Zimmerbach, ku pronarja e një banese u vu në dijeni nga fqinja e saj se dritarja e shtëpisë kishte qëndruar e hapur për dy ditë.