La shenjën në fitoren ndaj Bjellorusisë: U arrit objektivi, qershia mbi tortë do të ishte të nënshkruaja me një skuadër Mesfushori ishte ndër lojtarët më të spikatur në fitoren 2-0 ndaj Bjellorusisë. Asllani foli për objektivin e realizuar, ndikimin e trajnerit të ri dhe penalltinë e anuluar.
Kristjan Asllani ishte një nga protagonistët e Shqipërisë në fitoren 2-0 ndaj Bjellorusisë, rezultat që i siguroi Kombëtares vendin e parë në Grupin C1 dhe ngjitjen në Ligën B të Nations League. Pas përfundimit të takimit në Budapest, mesfushori zbuloi se përfundimi i grupit në vendin e parë kishte qenë objektivi i përcaktuar nga trajneri Rolando Maran që në ditën e tij të parë në krye të kuqezinjve.
Asllani vlerësoi reagimin e skuadrës pas dy miqësoreve të fundit, ndërsa theksoi rëndësinë e fanellës së Kombëtares dhe kënaqësinë për arritjen e objektivit. Ai u ndal gjithashtu te penalltia e anuluar, për të cilën shprehu keqardhje, por theksoi se më e rëndësishmja ishin pikët e marra.
“Ky ishte objektivi ynë që nga dita e parë kur erdhi trajneri. Na i tha nga dita e parë. Jemi të lumtur. Dolëm në vendin e parë dhe tani të shohim çfarë ka përpara. Trajneri ishte shumë i lumtur dhe na tha bravo të gjithëve. Është normale pas atyre dy miqësoreve ku nuk luajtëm mirë. Çdo trajner do kohën e tij, por jemi shumë të lumtur.
E dimë çfarë është kur vjen në Kombëtare. Luajmë për kombin tonë. Është gjëja më e bukur. Jemi shumë të lumtur. Më erdhi keq për penalltinë që u anulua. Goli ndihmon nga ana mentale. Për mua nuk ka problem, na duheshin pikët dhe jemi të lumtur”, deklaroi Asllani.
Top Channel