Gjimshiti: Vendi i parë është i merituar, me Maran kemi gjetur rrugën e duhur

Gjimshiti: Vendi i parë është i merituar, me Maran kemi gjetur rrugën e duhur

21:12, 15/11/2026

Kapiteni i Kombëtares shqiptare, Berat Gjimshiti, ka komentuar fitoren 0-2 ndaj Bjellorusisë në Budapest, duke u ndalur te rrugëtimi i kuqezinjve dhe ndryshimet që ka sjellë trajneri i ri, Rolando Maran.

Në prononcimin për “SuperSport” pas ndeshjes, mbrojtësi kuqezi theksoi se Shqipëria e nisi jo mirë këtë rrugëtim, por arriti ta përmirësonte ndjeshëm lojën në vazhdim.

“Rrugëtimin e filluam keq, e mbyllëm mirë me trajnerin e ri. Në ndeshjet e para nuk ishim mirë. Nuk i kishim kuptuar akoma idetë, nuk kishim kohë për të punuar. Grumbullimi i kaluar na u nevojit shumë, se ishim dy javë e gjysmë bashkë. Kjo duket edhe në fushë, duken idetë e qarta që kemi. Është i merituar vendi i parë”, u shpreh Gjimshiti.

Kapiteni u ndal edhe te rëndësia e rezultateve pozitive, të cilat kanë rritur vetëbesimin e futbollistëve dhe kanë sjellë më shumë qetësi në skuadër.

“Rezultatet pozitive na kanë sjellë qetësi. Sulmuesi, në qoftë se shënon, ka vetëbesim për ndeshjen tjetër për të shënuar. Gjithë lojtarët e tjerë që janë duke bërë mirë, rezultatet të japin motivim, por edhe ekipi është përmirësuar. Kemi miks të mirë të veteranëve me lojtarët e rinj. Ky është rrugëtimi i duhur për të vazhduar përpara”, deklaroi mbrojtësi.

I pyetur për krahasimin mes trajnerëve, Gjimshiti nuk harroi të vlerësonte punën e Silvinjos, me të cilin Shqipëria arriti të kualifikohej në Europian.

“Unë nuk bëj dot krahasime trajnerësh. Silvinjo duhet falënderuar për punën që ka bërë. Kemi shkuar në Europian të gjithë bashkë si ekip. Unë jam një futbollist që jeton në këto momente dhe mendoj vetëm për ekipin kombëtar që është tani”, u shpreh kapiteni.

Në fund, Gjimshiti vlerësoi punën e trajnerit aktual, Rolando Maran, duke shprehur besimin se bashkëpunimi mes stafit teknik dhe futbollistëve do të sjellë suksese të tjera për kuqezinjtë.

“Për stafin tani të Maran, është duke bërë një punë të mirë. Shpresoj që do të ketë akoma më shumë sukses bashkë me lojtarët”, përfundoi Berat Gjimshiti.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco