Një shumë prej rreth 17.7 milionë eurosh është zbuluar e groposur në tokë, si dhe e fshehur në disa ndërtesa dhe ambiente magazinimi në Hungari. Paratë dyshohet se lidhen me ish-ministrin e Zhvillimit, Miklos Sesztak, i cili është nën hetim për akuza korrupsioni. Pamjet e publikuara nga operacioni tregojnë autoritetet duke gërmuar në një zonë pyjore për të nxjerrë paratë e fshehura, ndërsa në fotografi të tjera shfaqen shuma të mëdha parash të gatshme të sekuestruara gjatë kontrolleve. Vlera e përgjithshme e parave të konfiskuara arrin në rreth 19.5 milionë dollarë. Autoritetet hungareze bënë të ditur se shuma është transferuar në llogarinë e Thesarit të Shtetit. Ministri i Financave, András Kármán, deklaroi se për numërimin e parave u angazhuan 12 punonjës të Thesarit, të cilët punuan për tetë orë me ndihmën e pesë makinave të numërimit. Operacioni zhvillohet në një kohë kur Hungaria po përjeton ndryshime të rëndësishme politike, pas fitores së Péter Magyar në zgjedhjet e prillit, duke i dhënë fund 16 viteve të qeverisjes së Viktor Orbán. Gjatë fushatës elektorale, Magyar kishte premtuar se do të hetonte rastet e dyshuara të korrupsionit dhe abuzimit me pushtetin gjatë qeverisjes së paraardhësit të tij. Ndërkohë, hetimet janë zgjeruar edhe ndaj personave të tjerë të lidhur me ish-qeverinë. Sipas raportimeve, në fokusin e autoriteteve janë edhe dy ish-ministra të kabinetit të Orbán, si dhe vëllai i ish-kryeministrit. Kryeministri Péter Magyar e ka përshëndetur sekuestrimin e shumës së madhe të parave, duke e cilësuar atë si një hap të rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit në vend.