Tri organizata serbe kanë paralajmëruar një kallëzim penal ndaj presidentit Aleksandar Vuçiç, ministrit të Brendshëm Ivica Daçiç dhe tre zyrtarëve të tjerë të lartë, duke i akuzuar për keqpërdorim të detyrës dhe dëmtim të interesave të serbëve në Kosovë. Këshilli Kombëtar Serb (SNV), Forumi Kombëtar Serb nga Graçanica dhe lëvizja “Otadžbina” do ta dorëzojnë kallëzimin të hënën, më 16 nëntor, në Prokurorinë e Lartë Publike në Beograd. Në listën e personave ndaj të cilëve drejtohet nisma janë edhe kryetarja e Kuvendit, Ana Brnabiq, drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, si dhe ish-kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq.

Sipas njoftimit të publikuar nga portali serb KoSSev, pesë zyrtarët akuzohen për tejkalim të kompetencave kushtetuese dhe ligjore, keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe moskryerje të detyrave zyrtare. Tri organizatat pretendojnë se politika e ndjekur nga udhëheqja në Beograd ndaj Kosovës ka sjellë pasoja të rënda për komunitetin serb dhe ka cenuar të drejtat e tij.

Kallëzimi penal pritet të dorëzohet në orën 11:00, në Pallatin e Drejtësisë në Beograd, ndërsa organizatat kanë paralajmëruar edhe një konferencë për media, ku do të bëjnë publike arsyet dhe argumentet që qëndrojnë pas kësaj nisme.

Në qendër të akuzave është politika e Beogradit ndaj Kosovës, veçanërisht mënyra se si janë trajtuar institucionet serbe që kanë funksionuar në territorin e Kosovës në kuadër të sistemit të Serbisë. Organizatat e konsiderojnë humbjen e këtyre strukturave si përgjegjësi edhe të drejtuesve politikë në Beograd.

Autoritetet e Kosovës kanë ndërmarrë një sërë aksionesh për mbylljen e institucioneve që i konsiderojnë paralele dhe jashtë rendit juridik të vendit. Që nga fillimi i vitit 2024, janë mbyllur tri komuna paralele në Pejë, Istog dhe Klinë, ndërsa më 30 gusht të po atij viti u mbyllën edhe pesë institucione të tjera në veri të Kosovës.

Aksionet vijuan më 15 janar 2025, kur u zgjeruan në dhjetë komuna në jug të lumit Ibër, ku u mbyllën disa komuna paralele, zyra postare dhe zyra tatimore që funksiononin nën administrimin e Serbisë. Qeveria e Kosovës i ka cilësuar këto struktura si institucione që cenonin kushtetutshmërinë dhe ligjet e Republikës së Kosovës.

Nisma për kallëzim penal ishte paralajmëruar fillimisht nga SNV-ja më 27 tetor, dy ditë pas zgjedhjeve parlamentare në Serbi, ku organizata kishte përshëndetur rezultatin e Listës së Studentëve. Në atë kohë, SNV-ja njoftoi se një grup ekspertësh po përgatiste dokumentacionin për të evidentuar përgjegjësitë e drejtuesve serbë lidhur me politikën ndaj Kosovës gjatë viteve të fundit.

Organizata kishte akuzuar në veçanti Vuçiçin dhe Daçiçin se gjatë afro 15 viteve të qeverisjes kishin kontribuar në shuarjen e institucioneve të shumta shtetërore serbe në Kosovë. Madje, në deklaratën e saj, SNV-ja e kishte krahasuar efektin politik të këtyre veprimeve me bombardimet e NATO-s ndaj Serbisë në vitin 1999.

Fillimisht ishte paralajmëruar që kallëzimi të dorëzohej në Prokurorinë për Krimin e Organizuar, por në njoftimin e fundit është bërë e ditur se institucioni ku do të paraqitet është Prokuroria e Lartë Publike në Beograd.

Deri më tani, tri organizatat nuk kanë publikuar përmbajtjen e plotë të kallëzimit dhe as nuk kanë specifikuar veprimet konkrete për të cilat akuzohet secili prej pesë zyrtarëve. Shpjegimet pritet të jepen gjatë konferencës për media pas dorëzimit të dokumentacionit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb