Kremlini ka paralajmëruar se Rusia do të "përdorë forcën" për të arritur objektivat e saj nëse nuk sheh perspektivë për arritjen e një marrëveshjeje me Europën. Deklarata u bë nga zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov. Agjencia ruse TASS citoi Peskov të ketë thënë se nëse Bashkimi Europian nuk dëshiron paqe, atëherë nuk ka kuptim të diskutohet më as për zgjidhjen e konfliktit në Ukrainë dhe as për arkitekturën e sigurisë europiane. Zëdhënësi i Kremlinit akuzoi se përçarjet e brendshme mes liderëve të BE-së po pengojnë marrjen e vendimeve në kohë dhe gjetjen e një qëndrimi të përbashkët. Ky paralajmërim pason deklaratën e Presidentit Vladimir Putin të pak ditëve më parë në Moskë. Putin paralajmëroi se çdo trupë ushtarake perëndimore ose europiane që mund të dislokohet në Ukrainë pas një marrëveshjeje paqeje do të konsiderohet si "objektiv legjitim ushtarak" i Rusisë. Gjatë bisedimeve të kësaj jave në Abu Dhabi me ndërmjetësit amerikanë, delegacioni rus ka rikthyer ultimatumet e vitit 2021. Moska kërkon tërheqjen e forcave të NATO-s nga Europa Lindore dhe shtetet baltike, ndalimin e furnizimit me armë për Ukrainën, si dhe heqjen e mburojës bërthamore britanike dhe franceze nga vendet e tjera europiane. Liderët europianë, përfshirë shefen e politikës së jashtme të BE-së Kaja Kallas, i kanë hedhur poshtë këto kushte duke theksuar se siguria e kontinentit nuk është çështje që e vendos Moska. Pavarësisht tensioneve, BE-ja ka rënë dakord të dërgojë një ekip të përbashkët me pesë shtete Francën, Gjermaninë, Italinë, Poloninë dhe Mbretërinë e Bashkuar në raundin e ardhshëm të bisedimeve të paqes.