“Përjetësisht do të jem me Çlirimtarët”, ish-kryetari i Malishevës drejt Hagës për të pritur vendimin ndaj tij, akuzohet për pengim të drejtësisë

15/11/2026 22:15

Ish-kryetari i Malishevës dhe ish-pjesëtari i UÇK-së, Isni Kilaj, është nisur sot drejt Hagës, ku më 17 nëntor pritet të shpallet aktgjykimi në rastin ku ai është i akuzuar.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë Kilaj përmes një postimi në rrjetet sociale, të shoqëruar me fotografi familjare. Ai ka thënë se pret një vendim të drejtë nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

“Sot po nisem për në Hagë! Më 17 nëntor e kemi verdiktin nga Dhomat e Specializuara të Kosovës. Pres drejtësi! Sido që të jetë, gjithmonë-përjetësisht do të jem me Çlirimtarët!”, ka shkruar ai.

Aktgjykimi pritet të shpallet të martën, nga ora 10:00. Në të njëjtin proces gjyqësor janë edhe ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-shefi i AKI-së, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu dhe ish-ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi.

Ata akuzohen për pengim të administrimit të drejtësisë, ndërsa aktakuza, e konfirmuar më 29 nëntor 2024, përfshin pretendime për përpjekje të kundërligjshme për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve në procesin për krime lufte.

Pretendimet janë objekt i shqyrtimit gjyqësor dhe nuk përbëjnë konstatime të vërtetuara të fajësisë.

Top Channel