Gjykata e Sigurisë Shtetërore e Jordanisë dënoi me vdekje përmes varjes tre autorët e sulmit të armatosur në kishën ortodokse greke të Shën Gjergjit, ku mbetën të vrarë 9 persona. Vendimi u bë publik përmes një deklarate zyrtare nga Forcat e Armatosura të Jordanisë. Tre burrat e dënuar me vdekje me varje janë shtetas jordanezë, konkretisht dy vëllezër dhe kunati i tyre. Identitetet e tyre nuk janë bërë publike. Gjykata i shpalli ata fajtorë për kryerjen e "akteve terroriste që shkaktojnë vdekje", posedim të paligjshëm të armëve dhe municioneve, "komplot për të kryer akte terroriste" dhe "përhapje të ideve të një organizate terroriste". Njëri prej tyre u dënua edhe për financim të terrorizmit.