Më shumë se 400 milionë dollarë në kriptovaluta janë vjedhur gjatë 18 muajve të fundit nga hakerë të lidhur me Korenë e Veriut. Për të realizuar mashtrimin, ata mbështeteshin te video-thirrjet e falsifikuara dhe përdorimi i inteligjencës artificiale.
Byroja Federale e Hetimit (FBI) e identifikon këtë skemë me emrin “FaceStealer”. Në shënjestër të saj ishin kryesisht punonjës të fushës së kriptovalutave dhe Web3, krahas zhvilluesve të programeve me kod të hapur.
Të lidhura
None found
Ftesat për takime në internet dërgoheshin nga llogari të komprometuara, përmes të cilave sulmuesit hiqeshin si njerëz që viktimat i njihnin. Për ta bërë paraqitjen të besueshme gjatë video-thirrjeve, shfaqnin regjistrime të mëparshme dhe video të prodhuara me inteligjencë artificiale.
Pasi krijonin besim, hakerët pretendonin se kishte një defekt teknik dhe i udhëzonin viktimat të hapnin një lidhje, gjoja për ta rregulluar. Klikimi shërbente për instalimin e programeve keqdashëse në pajisjet e tyre, çka u hapte rrugë sulmuesve të vidhnin kriptovalutat dhe të merrnin nën kontroll llogaritë.
Autoritetet amerikane bëjnë të ditur se jo të gjitha vjedhjet ndodhnin menjëherë: në disa raste, kriptovalutat janë marrë disa muaj pas komprometimit të parë të pajisjeve, e në raste të tjera pas më shumë se një viti. Mbi 900 video të regjistruara nga kamerat e viktimave janë sekuestruar nga FBI. Ndërkohë, Departamenti amerikan i Drejtësisë ka bërë të ditur se ka çaktivizuar infrastrukturën digjitale që shërbente për këtë skemë.
Në paralajmërimin e tyre, autoritetet amerikane theksojnë se regjimi i Koresë së Veriut e përdor vjedhjen e kriptovalutave si një prej burimeve për financimin e veprimtarive të paligjshme.





