Ekranet në shkolla shqetësim për prindërit, mbi 150 mjekë paralajmërojnë për pasoja te fëmijët Qeveria holandeze po përballet me rrezikun e shpërbërjes pas përplasjeve të forta brenda koalicionit qeverisës për planet fiskale të vendit.
Kryeministri Rob Jetten ka zgjatur negociatat me partnerët e tij gjatë fundjavës, në përpjekje për të shmangur kolapsin e kabinetit, pasi një takim maratonë prej më shumë se shtatë orësh të premten nuk arriti të prodhonte një marrëveshje.
Kriza ka në qendër mosmarrëveshjet mes partisë centriste D66 të Jetten, partisë së qendrës së djathtë CDA dhe Partisë Popullore për Liri dhe Demokraci (VVD), të krahut të djathtë, lidhur me planin buxhetor dhe paketën e re fiskale.
Përplasjet u përshkallëzuan pasi deputetët e D66 dhe CDA mbështetën disa amendamente të propozuara nga dy parti të opozitës së qendrës së majtë, PRO dhe Volt, duke mundësuar miratimin e paketës tatimore në Parlament, me një votim të ngushtë të enjten në mbrëmje.
Pjesë e marrëveshjes është një propozim për rritjen e taksimit mbi fitimet nga kursimet dhe investimet. Sipas planit, të ardhurat nga asetet që tejkalojnë 60 mijë euro do të tatohen me një normë prej 38.5%. Kreu i PRO, Jesse Klaver, e ka cilësuar këtë masë si një “taksë për milionerët”.
Ky kompromis shkaktoi zemërimin e VVD-së, e cila votoi kundër planit fiskal të vetë qeverisë. Liderja e saj, Dilan Yeşilgöz-Zegerius, deklaroi se ishte vënë përballë një marrëveshjeje për të cilën nuk ishte informuar paraprakisht.
Pas përfundimit të negociatave të së premtes, Jetten njoftoi se tre partitë do të qëndronin së bashku, të paktën për momentin. Megjithatë, Yeşilgöz e cilësoi koalicionin e pakicës si një “eksperiment të dështuar”, duke deklaruar se situata nuk mund të vazhdojë në këtë mënyrë.
Ajo kërkoi një riorganizim të thellë të marrëveshjes mes partnerëve qeverisës, ndërsa vetë kryeministri pranoi se nevojitet një fillim i ri dhe serioz për të rikthyer funksionimin e koalicionit.
“Ditët e fundit kanë ndodhur shumë gjëra të mira, por edhe gjëra që nuk kanë shkuar siç duhet. Duhet të bëjmë më mirë”, deklaroi Jetten, duke konfirmuar se bisedimet do të vijonin gjatë ditëve në vijim.
Përplasjet e fundit kanë rikthyer në vëmendje paqëndrueshmërinë politike në Holandë, e cila ka zhvilluar katër zgjedhje të përgjithshme gjatë dekadës së fundit. Jetten, kryeministri më i ri në historinë e vendit, kishte premtuar një periudhë të re bashkëpunimi politik, por deri më tani është përballur me vështirësi për të mbajtur të bashkuar koalicionin.
Situata ka ngritur mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme, vetëm nëntë muaj pas marrjes së detyrës nga qeveria e tij. Sondazhet e përmendura në raportim sugjerojnë se në një proces të ri zgjedhor, partia e majtë PRO, e drejtuar nga Jesse Klaver, mund të dalë e para, e ndjekur nga Geert Wilders.
Top Channel