Nga një galaktikë shumë, shumë larg, në një shtëpi ankandesh në Dallas – një shpatë me dritë e përdorur nga Darth Vader përpara se të shqiptonte frazën e famshme «Unë jam babai yt», u shit të enjten për më shumë se 4,87 milionë dollarë.
E cilësuar nga Heritage Auctions si «shpata kryesore e personazhit për duele», ajo është objekti më i shtrenjtë i koleksionit të relikeve të Star Wars që është nxjerrë ndonjëherë në ankand.
Rekuizita u përdor nga aktori David Prowse dhe dublanti i tij, kampioni olimpik i skermës Bob Anderson, në disa skena luftimi. Ajo u përdor më së shumti në duelin në Cloud City me Luke Skywalker, në filmin e vitit 1980 The Empire Strikes Back, ku Darth Vader i pret të birit dorën përpara se t’i zbulojë të vërtetën tronditëse, shkruan CNN.
Tre vjet më vonë, në filmin Return of the Jedi, e njëjta rekuizitë u përdor në përballjen mes tyre në sallën e fronit të Perandorit Palpatine. Në katalogun e shitjes, shtëpia e ankandeve tha se nuk ishte në gjendje të konfirmonte nëse shpata me dritë ishte përdorur edhe në filmin e parë të serisë, A New Hope, të vitit 1977, por shtoi se kjo ishte «e mundshme».
Çmimi prej 4,87 milionë dollarësh tejkaloi rekordin e mëparshëm të ankandeve për një rekuizitë të Star Wars, i cili mbahej nga shpata tjetër me dritë e përdorur në duelin në Cloud City. Arma e Luke Skywalker, e shitur së bashku me një mekanizëm të posaçëm për efektet speciale që paraqiste një dorë të prerë (krijuar nga artisti i makijazhit Stuart Freeborn duke përdorur një kallëp të marrë nga aktori Mark Hamill), u shit për 3,75 milionë dollarë në Heritage Auctions, në muajin korrik.
Në vend që të prodhoheshin posaçërisht, shumë prej shpatave me dritë të trilogjisë origjinale ishin në fakt mbajtëse blici të ripërdorura nga aparate fotografikë të vjetër. Ato që përdoreshin në skenat e luftimeve modifikoheshin për të mbajtur tehët e rekuizitave (asnjë prej të cilëve nuk ishte pjesë e ankandit) dhe për t’u bërë ballë goditjeve gjatë përleshjeve. Shkëlqimi ikonik i armëve u krijua më vonë nga artistët, duke animuar çdo kuadër veçmas gjatë fazës së postproduksionit.
Sipas katalogut të ankandit, shpata me dritë e Darth Vaderit kishte dëmtime «në përputhje me përdorimin e saj si rekuizitë funksionale për duele», përfshirë gërvishtje, një çarje, një pjesë të munguar të mbulesës së sipërme dhe dorezën pjesërisht të thyer.
Ankandi «Ultimate Star Wars» i Heritage Auctions përfshinte pothuajse 200 rekuizita dhe vepra arti që lidhen me ekskluzivitetin Star Wars, si dhe me prodhime të lidhura me të, si The Mandalorian. Ndër objektet më të kërkuara ishin edhe rekuizita të tjera nga The Empire Strikes Back, përfshirë një pushkë të përdorur nga Boba Fett, e cila u shit për 375.000 dollarë, dhe një model në miniaturë të një anijeje Snowspeeder, të përdorur gjatë xhirimeve dhe që dikur i përkiste Carrie Fisher, aktores që interpretoi Princeshën Leia. Ky objekt u shit për 200.000 dollarë.
Në ankand u përfshinë edhe 27 shpata të tjera me dritë, mes tyre ato të përdorura nga Obi-Wan Kenobi, i interpretuar nga Ewan McGregor, dhe personazhi Rey Skywalker, i interpretuar nga Daisy Ridley. Përveç shpatës rekord të Darth Vaderit, çmimet më të larta për shpatat me dritë u arritën nga ato të përdorura nga Ray Park në rolin e Darth Maul dhe Hayden Christensen në rolin e Anakin Skywalker, përkatësisht në filmat The Phantom Menace dhe Revenge of the Sith. Të dyja u shitën për 162.500 dollarë.
Ndër rekuizitat e tjera të Star Wars, të përdorura në filma dhe që kanë tërhequr oferta prej miliona dollarësh, përfshihen një model në miniaturë i një gjuajtësi yjor X-wing të skuadrës Red Leader, i cili u shit për më shumë se 3,13 milionë dollarë në vitin 2023, si dhe një njësi e plotë R2-D2, e cila u shit për 2,75 milionë dollarë në vitin 2017.