Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, ka akuzuar ish-kryeministrin britanik Boris Johnson se po gënjen për një takim me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov, të zhvilluar në vitin 2017. Ajo ka hedhur poshtë pretendimet e Johnson se gjatë drekës ishte detyruar të konsumonte sasi të mëdha vodka, duke dhënë një version krejtësisht të ndryshëm të asaj që kishte ndodhur.
Johnson kishte treguar më herët se Lavrov e kishte ulur pranë një oxhaku të ndezur dhe e kishte detyruar të pinte sasi të mëdha vodka. Ish-kryeministri britanik e kishte krahasuar përvojën me një ndëshkim në një shkollë angleze të epokës viktoriane, ndërsa për vetë Lavrovin kishte përdorur një përshkrim të ashpër, duke e quajtur “njeri të neveritshëm”.
Por Zakharova pretendon se situata kishte qenë ndryshe dhe se Johnson kishte kërkuar vetë të konsumonte më shumë pije alkoolike.
“Ai mund të kishte zgjedhur verën që kishte përpara. Por zgjodhi të pinte sa të donte. E mbaj mend atë drekë”, deklaroi zëdhënësja e diplomacisë ruse.
Sipas versionit të saj, ish-kryeministri britanik nuk ishte detyruar të pinte vodka, por kishte kërkuar vazhdimisht pije të tjera.
Deklarata e Zakharovës vjen pas rrëfimit të Johnson për takimin e vitit 2017, duke rikthyer në vëmendje marrëdhëniet e tensionuara mes ish-kryeministrit britanik dhe kreut të diplomacisë ruse.
