Një valë e paprecedentë kërcënimesh me bomba ka përfshirë Evropën, duke shkaktuar kaos në aeroporte, shkolla dhe media, ndërsa autoritetet po përpiqen të zbulojnë se kush qëndron pas mesazheve kërcënuese. Më shumë se 50 fluturime janë prekur nga alarmet, mijëra shkolla kanë marrë email-e kërcënuese dhe të paktën një anije turistike është përfshirë në incidentet që deri më tani kanë rezultuar të gjitha të rreme. Sipas CNN, kërcënimet janë dërguar kryesisht përmes postës elektronike dhe kanë vënë në provë sistemet e sigurisë së disa vendeve evropiane. Në rastet që kanë përfshirë avionë pasagjerësh, autoritetet kanë ndërmarrë masa të menjëhershme, duke devijuar fluturime drejt aeroporteve të tjera. Në Hungari dhe Francë, avionët luftarakë janë ngritur në ajër për të shoqëruar avionët e dyshuar si objektiva të kërcënimeve.