Monday / November 16 / 2026
Revista Monitor Logo
hamburger menu icon

mbyll

close icon
Ads
Lajmet Kryesore Nga Vendi

Ulja e pragut të TVSH, kontabilistët: Nga 1 janari fermerët do të humbasin kompensimin 10%

Share Share Icon

Propozimi me paketën fiskale për përgjysmimin e pragut të patatueshëm për regjistrimin në TVSh pritet të prekë edhe fermerët me daljen nga skema kompensimit të TVSh-së 10%.

Paralajmërimi për rrezikun e daljes së fermerëve nga skema e kompensimit të TVSH-së 10% me hyrjen në fuqi të uljes së pragut të patatueshmëm nga 10 milionë lekë në 5 milionë lekë erdhi nga kontabilistët e Aleancës së Profesionistëve të Lirë dhe të Institutit të Kontabilistëve të Miratuar (IKM) në dëgjesën e Komisionit Parlamentar të Ekonomisë për projektligjet e paketës fiskale.

Monitor kontaktoi konsulentin fiskal Artur Papajani i cili shpjegoi se ndikimi i uljes së pragut te fermerët lidhet drejtpërdrejt me kushtet e përcaktuara në udhëzimin e ministrit të Financave nr. 19, datë 3.11.2014, “Për zbatimin e regjimit të veçantë të skemës së kompensimit të prodhuesve bujqësorë për qëllime të tatimit mbi vlerën e shtuar”, i ndryshuar për herë të fundit me udhëzimin nr. 4, datë 30.1.2026.

Papajani shpjegon se në Nenin 4, pika 1, të këtij Udhëzimi përcaktohet se fermeri përfiton të drejtën e kompensimit për sa kohë që qarkullimi i tij vjetor nuk tejkalon kufirin minimal të përcaktuar të regjistrimit për TVSH-në.

Qarkullimi llogaritet mbi vlerën totale të furnizimit të shënuar në faturë për produktet bujqësore të shitura ndaj personave të tatueshëm, të regjistruar në TVSH, që ushtrojnë aktivitet si grumbullues, përpunues të produkteve bujqësore apo agroturizëm i certifikuar.

Për rrjedhojë, nëse pragu ulet nga 10 milionë në 5 milionë lekë, fermerët që realizojnë qarkullim mbi 5 milionë lekë, por nën pragun aktual prej 10 milionë lekësh, nuk do të plotësojnë më kushtin për të përfituar nga skema e kompensimit 10%.

Udhëzimi përcakton gjithashtu se përfitues të skemës janë fermerët që furnizojnë mallra me prejardhje nga puna e tyre në aktivitetet prodhuese bujqësore dhe që janë pajisur me numër identifikimi (NIPT) nga administrata tatimore.

Pajisja me NIPT bëhet pa iu nënshtruar detyrimit për deklarim, por kjo nuk garanton përfitimin e kompensimit nëse fermeri tejkalon kufirin e përcaktuar të qarkullimit vjetor.

Në total sipas të dhënave të Ministrisë së Financave nga viti 2018 deri në shtator 2025 janë të pajisur me NIPT tatimor 110 mijë fermerë.

Ulja e pragut, kontabilistët: Efekt me daljen nga skema e TVSH dhe rritjen e informalitetit  

 

Konsulenti fiskal Artur Papajani thotë se përcaktimi i ligjit të TVSH-së, sipas të cilit përfitimi i kompensimit është i kufizuar nga një tavan, kthen përmbys gjithçka që fermerëve u është premtuar, gjithçka që kishte filluar me u zbatuar për kompensimin e tyre.

“ Prodhuesit bujqësorë përfitojnë të drejtën e kompensimit kur qarkullimi vjetor i tyre nuk tejkalon kufirin minimal të regjistrimit për TVSH-në, të miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave”.

Një vlerë kompensimi e barasvlershme me 10% të blerjeve të tyre. Jo kushedi çfarë, por gjithsesi fermerit i kthehet mbrapsht TVSH-ja e paguar prej tij për blerjen e mallrave e të shërbimeve, për nevoja të kryerjes së aktivitetit të tij prodhues.

Përgjysmimi i paneglizhueshëm i pragut të regjistrimit në TVSH, nga 10 milion lekë në 5 milionë lekë, nga janari i vitit të ardhshëm do të privojë nga e drejta e kompensimit, një grup të madh të fermerëve që tejkalojnë me shitjet e tyre, vlerën e pragut të ri 5 milionësh”, thotë ai.

Paralajmërimi për mospërfitimin e kompensimit nga TVSH 10% erdhi edhe nga Kryetari i Instituti i Kontabilistëve të Miratuar (IKM) Sotiraq Dhamo në dëgjesën e Komisionit Parlamentar të Ekonomisë për projektligjet e paketës fiskale.

“Një pjesë e fermerëve që do të përfshihen në këtë skemë nuk do të përfitojnë më nga kompensimi i TVSH-së, pasi do të kalojnë në skemën normale. Shumë prej blerjeve të tyre mund të zbriten, por ata nuk mund të zbresin TVSH-në për pagesat e shërbimeve të traktorëve dhe punimin e tokës. Kjo do t’i rëndojë fermerët.

Imagjinoni një fermer që realizon një xhiro prej 5 apo 6 milionë lekësh dhe që duhet të mbajë një sistem kontabiliteti për t’u përballur me kostot administrative të skemës së TVSH-së”, pohoi gjatë seancës dëgjimore z. Dhamo.

Përveç mospërfitimit të kompensimit, kontabilistët paralajmërojnë se ulja e pragut të patatueshëm të TVSH pritet të nxisë informalitetin edhe për fermerët.

“Çdo fermë apo çdo fermer që do të synojë të përmirësojë infrastrukturën e kapacitetet e tij prodhuese, që do të rrisë vlerën në treg të produkteve të tij (vendase), do të ketë një kufizim të përfitimit të kompensimit.

Gjithashtu fermeri do të ketë një kufizim edhe të interesit për t’u formalizuar. Shumë ferma për të ruajtur pragun e ulët , do të synojnë të zhvendosen në territorin infomalitetit. Dhe hapi i parë do të jetë mosfaturimi /mos pranimi i faturës nga blerësit formal të regjistruar për TVSH.

Nga ulja e pastudiuar e pragut të TVSh, dëmi në ekonomi pritet të jetë kolateral. Dhe këtë oksigjen informalitetit, nuk ja japin as evazorët, as shitësit e as blerësit, por vendimet e nxituara apo të pamenduara”, thotë Artur Papajani.

Kontabilistët kanë paralajmëruar se ulja e pragut të TVSh do të rrisë kostot administrative edhe për bizneset e tjera të vogla, ndërsa përfitimi për ulje informaliteti nuk është i realizueshëm, nisur edhe nga vendimmarrja e vitit 2018. Në këtë periudhë pragu u ul në 2 milionë lekë, ndërsa nuk pati efekte në uljen e informalitetit te biznesi i vogël.

IKM kërkon shtyrjen e ndryshimeve për dividendin dhe pragun e TVSH-së deri në vitin 2029

Profesionistët e lirë propozojnë prag TVSH 8 mln lekë, dividend 0% për të ardhurat deri 14 mln lekë

Skema e kompensimit 10% i TVSH-së

Nga 1 janari 2026, sipas ndryshimeve në ligjin nr. 92/2014, “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”, kompensimi 10% i fermerëve llogaritet mbi vlerën e faturave të lëshuara nga blerësit e produkteve të tyre bujqësore. Për fermerët e pajisur me NIPT tatimor, të cilët nuk janë subjekte të regjistruara në QKB, fatura e shitjes ose autofatura lëshohet nga blerësit e mallrave bujqësore.

Autofatura e lëshuar për fermerin nga përpunuesi, grumbulluesi apo një agroturizëm i certifikuar shërben si bazë për llogaritjen e kompensimit, i cili përfaqëson 10% të vlerës së saj. Skema synon të mbulojë pjesërisht TVSH-në që fermerët kanë paguar për inputet bujqësore, si plehra kimike, fara dhe fidanë.

Për shembull, nëse një fermer i pajisur me NIPT shet produkte bujqësore me vlerë 1,000 euro dhe grumbulluesi apo përpunuesi lëshon autofaturën përkatëse, fermeri përfiton një kompensim prej 10%, ose 100 euro.

Kompensimi nuk llogaritet drejtpërdrejt mbi blerjet e fermerit për plehra kimike, fidanë apo fara, por mbi vlerën e autofaturave të lëshuara nga grumbulluesi për produktet bujqësore që ai shet.

Sipas ligjit të TVSH-së, fermerët e pajisur me NIPT nuk lëshojnë fatura shitjeje kur produktet e tyre bujqësore ia shesin personave të tatueshëm, pasi janë këta të fundit që lëshojnë autofaturën për fermerin.

Përfitues të skemës janë fermerët që nuk janë subjekte të regjistruara në TVSH dhe që nuk ngarkojnë TVSH në shitjen e produkteve të tyre, por që njëkohësisht nuk kanë të drejtë të zbresin apo të rimbursojnë TVSH-në e paguar për blerjet.

Kërkesa për kompensim bëhet dy herë në vit, për periudhat janar–qershor dhe korrik–dhjetor.

Aplikimet për kompensimin e TVSH-së nisën më 1 korrik 2026 dhe kryhen përmes sistemit e-Filing nga fermerët e pajisur me NIPT.

Sipas të dhënave të administratës tatimore, deri në fund të tetorit kanë aplikuar online për kompensimin e TVSH-së përmes autofaturës 5,995 fermerë. Nga këto aplikime, 5,148 janë aprovuar, ndërsa 469 të tjera vijojnë të jenë në proces shqyrtimi.

Sipas të dhënave të publikuara, kërkesat për kompensim arrijnë në rreth 13.3 milionë euro./ D.Azo

Nisin sot aplikimet në e-Filing për kompensimin e TVSH-së për rreth 114 mijë fermerë

 

Kompensimi i TVSh-së për fermerët arrihen 6 mijë aplikime, kërkohen 13.3 mln euro

Çfarë parashikon Udhëzimi

 

UDHËZIM

Nr. 19, datë 3.11.2014 “Për zbatimin e regjimit të veçantë të skemës së kompensimit të prodhuesve bujqësorë për qëllime të tatimit mbi vlerën e shtuar”

(Ndryshuar me udhëzimin nr. 23, datë 7.9.2015; nr. 26, datë 26.10.2015; nr. 10, datë 3.5.2016; nr. 3, datë 21.2.2019; nr. 4, datë 30.1.2026)

Neni 4

Kushtet për të përfituar nga skema e kompensimit

(Ndryshuar pika 1 me udhëzimin nr. 4, datë 30.1.2026)

  1. Fermeri përfiton të drejtën e kompensimit për sa kohë që qarkullimi vjetor i tij nuk tejkalon kufirin minimal të përcaktuar të regjistrimit për TVSH-në. Ky qarkullim bazohet në shitjet e kryera, sipas vlerës totale të furnizimit të shënuar në faturë, për produktet bujqësore, kundrejt personave të tatueshëm që nuk përfitojnë nga skema e kompensimit, të regjistruar për TVSH-në që ushtrojnë aktivitet si grumbullues ose/dhe përpunues i produkteve bujqësore apo agroturizëm i certifikuar.
  2. Fermerët që i nënshtrohen këtij regjimi, janë përfitues të skemës së kompensimit nëse furnizojnë mallra me prejardhje nga puna e tyre e kryer për aktivitetet prodhuese bujqësore të përcaktuara sipas këtij udhëzimi.
  3. Fermerët që janë objekt i skemës së kompensimit, duhet të pajisen me një numër identifikimi (NIPT), lëshuar nga drejtoria rajonale tatimore ku ushtrojnë aktivitetin fermeri për të përfituar nga kjo skemë, pa iu nënshtruar detyrimit për deklarim.

 

Neni 5

Pajisja me NIPT e fermerit

(Shtuar paragrafi në fund të pikës 2; ndryshuar shkronja “a” dhe “b” në pikën 4 me udhëzimin nr. 10, datë 3.5.2016)

  1. Aplikimi për t’u pajisur me NIPT bëhet nga vetë fermeri.
  2. Për t’u pajisur me certifikatën e NIPT-it, individi-fermer paraqitet në Drejtorinë e Regjistrimit dhe Shërbimit të Tatimpaguesve në Drejtorinë Rajonale Tatimore të juridiksionit sipas ndarjes, organizimit administrativ, duke paraqitur dokumentacionin si më poshtë:
  • Aplikimin për regjistrim sipas formularit përkatës të plotësuar me të gjitha të dhënat e detyrueshme të kërkuara, nënshkruar nga kërkuesi.
  • Dokumentin origjinal të identifikimit (letërnjoftimit) ose kopje të noterizuar të këtij dokumenti, i cili i bashkëngjitet aplikimit për regjistrim.
  • Vërtetimin origjinal sipas formatit bashkëngjitur këtij udhëzimi, lëshuar për fermerin prej drejtorisë rajonale të Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, në bazë të të cilit vërtetohet aktiviteti prodhues bujqësor i fermerit.

Për aktivitetin prodhues bujqësor që kryhet në të njëjtin vend/adresë (tokë bujqësore ose adresë ku kryhet veprimtaria bujqësore/blegtorale) në pronësi ose në përdorim, ky vërtetim, për qëllime të pajisjes me NIPT, lëshohet vetëm në emër të një fermeri.

Dokumentet shoqëruese të aplikimit duhet të dorëzohen në origjinal ose kopje të njësuara me origjinalin, të jenë në gjuhën shqipe, nuk duhet të përmbajnë korrigjime ose fshirje dhe përmbajtja e tyre duhet të duket qartë, të jetë e lexueshme dhe të lejojë marrjen e imazhit elektronik të dokumentit.

Për pajisjen me NIPT të fermerit, janë të detyrueshme këto të dhëna:

a) të dhënat e identifikimit të fermerit, adresa e banimit, kontakte të personit;

b) vendi i ushtrimit të veprimtarisë prodhuese bujqësore. Për të njëjtin vend të veprimtarisë/adresë të ushtrimit të veprimtarisë prodhuese bujqësore, pajiset me NIPT, vetëm një fermer i cili ka në pronësi ose në përdorim dhe ushtron veprimtarinë në këtë vend;

b) vendi i ushtrimit të veprimtarisë prodhuese bujqësore;

c) fusha/(at) e veprimtarisë prodhuese bujqësore, në qoftë se është e përcaktuar, ose nëse fermeri kryen disa veprimtari prodhuese bujqësore, atëherë specifikohen disa duke filluar nga ajo që mban peshën kryesore.

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ekskluzive Monitor Top 1,000

Publikohen për herë të parë treguesit financiarë të 1000 kompanive më të mëdha në vend. Renditja e grupeve kryesore!

Eksploro Top List
Live Now

Lajme të Ngjashme

DIVA 2025, vijojnë rimbursimet: 1,430 individë përfitojnë 217 mijë euro

Administrata Tatimore vijon procesin e rimbursimit të të ardhurave të deklaruara përmes Deklaratës Individuale Vjetore të të Ardhurave (DIVA) 2025,...

12 hours më parë 1 Min Lexim

Shtresa e mesme po tkurret? Çfarë tregojnë realisht shifrat e INSTAT

Intervistë me Dr. Lantona Sado, Drejtoreshë e Përgjithshme e INSTAT   Konceptet mbi shtresën e mesme dhe pabarazinë ekonomike në Shqipëri ka n...

1 day më parë 14 Min Lexim
Ads
collaps icon

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS! Regjistrohu Falas!

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS!

Si përdorues i paregjistruar, mund të lexoni vetëm 200 artikuj në muaj. Mund ta rrisni këtë limit duke krijuar një llogari FALAS në faqen tonë.

Regjistrohu FALAS!