Trump viziton qytetin simbol të fuqisë teknologjike të Kinës, për herë të parë një president amerikan në detyrë në Shenzhen

16 Nëntor 2026 | 07:45

Shenzheni, metropoli teknologjik i Kinës, është kthyer në një nga qendrat më të rëndësishme të biznesit dhe inovacionit në botë. Me më shumë miliarderë se çdo qytet tjetër jashtë Nju Jorkut, ai do të presë këtë javë një nga figurat më të njohura të qytetit amerikan, presidentin Donald Trump.

Trump do të bëhet presidenti i parë amerikan në detyrë që viziton Shenzhenin, ku do të marrë pjesë në samitin e Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC). Për presidentin kinez Xi Jinping, ky qytet përfaqëson një pasqyrë të zhvillimit të Kinës moderne: planifikim urban ambicioz, përparim të shpejtë teknologjik dhe krijim të jashtëzakonshëm të pasurisë, shkruan CNN.

I vendosur pranë Hong Kongut, Shenzheni është përgjigjja e Kinës ndaj Silicon Valley-t. Një metropol futuristik, ku janë vendosur sipërmarrësit më të njohur të teknologjisë, ku dronët shpërndajnë ushqime dhe ku ndodhet një prej superkompjuterëve më të fuqishëm në botë.

Pikërisht nga ky qytet kanë dalë shumë prej zhvillimeve teknologjike që kanë kontribuar në përplasjen mes Trumpit dhe Xi-së për kontrollin e lëndëve të para, aksesin në çipat e avancuar dhe tregjet fitimprurëse. Ndërkohë, armëpushimi i brishtë tregtar mes dy ekonomive më të mëdha në botë pritet të skadojë në janar.

Shenzheni po shndërrohet gjithashtu me shpejtësi në një nga destinacionet më të preferuara të turistëve të huaj në Kinë.

Nëse bisedoni me cilindo prej 18 milionë banorëve të qytetit, ka shumë gjasa që ta dëgjoni ta përshkruajnë me krenari si një “qytet mrekullish”.

I ndërtuar mbi zona kënetore me mangrova në harkun e vetëm katër dekadave, ky metropol mbresëlënës ka sot më shumë rrokaqiej se Nju Jorku dhe rreth tri herë më shumë se Çikago, sipas Këshillit për Urbanizmin Vertikal.

Disa prej këtyre ndërtesave gjigante kanë forma të veçanta arkitekturore: njëra i ngjan majës së një filizi bambuje, ndërsa një tjetër një flete metalike të palosur. Në Shenzhen ndodhet gjithashtu ndërtesa e pestë më e lartë në botë, Qendra Financiare Ping An.

Në rrugët e qytetit, gjithçka të jep përshtypjen e një metropoli të sapondërtuar. Taksitë elektrike pa shofer lëvizin pothuajse në heshtje, ndërsa dronët fluturojnë mbi ndërtesa duke shpërndarë ushqime të ngrohta dhe kafe të ftohtë. Në pemët përgjatë rrugëve janë vendosur struktura sferike që ngjajnë me kristale, të cilat mbledhin energjinë diellore dhe ndriçojnë rrugët gjatë natës.

Edhe emërtimet e rrugëve dhe hapësirave publike pasqyrojnë orientimin e qytetit drejt teknologjisë dhe dijes. Parku i Talenteve, Rruga e Start-up-eve dhe Kopshti i Diturisë janë vetëm disa prej tyre, ndërsa shumë rrugë të tjera mbajnë emrat e shkencëtarëve të njohur kinezë.

Në kafenetë e shumta me dizajn modern, të rinjtë diskutojnë hapur për mënyrat se si mund të fitojnë më shumë para. Mosha mesatare e banorëve është vetëm 32 vjeç. Ndërkohë, prindërit e arsimuar të moshës së mesme bisedojnë për universitetet dhe mundësitë e studimit jashtë vendit për fëmijët e tyre.

Por vetëm 50 vjet më parë, në kohën kur një Donald Trump i ri po nënshkruante marrëveshjen e tij të parë në fushën e pasurive të paluajtshme në Manhattan, Shenzheni pothuajse nuk ekzistonte si qytet.

Në atë zonë shtrihej një territor ekonomikisht i prapambetur, i rrethuar nga toka bujqësore, ku familjet përpiqeshin të siguronin ushqimin e përditshëm. Përballë tij, përtej ujit, ndodhej Hong Kongu, një enklavë britanike shumë më e pasur dhe më e zhvilluar.

Sipas një dokumentari për Shenzhenin, të publikuar në vitin 2019 nga transmetuesi shtetëror kinez CCTV, në atë periudhë një fermer që mbante më shumë se tre rosa mund të ndëshkohej me akuzën se po ndiqte një “rrugë kapitaliste”.

Në atë kohë, udhëheqësi suprem i Kinës, Deng Xiaoping, kërkonte të liberalizonte ekonominë e një vendi të izoluar dhe të varfër, i cili ende po rimëkëmbej nga pasojat e Revolucionit Kulturor, një periudhë dhjetëvjeçare që kishte lënë pasoja të thella në shoqërinë kineze.

Ishte Xi Zhongxun, babai i presidentit aktual Xi Jinping dhe në atë kohë guvernator i provincës Guangdong, ku përfshihet edhe Shenzheni, ai që i propozoi Dengut të përdorte disa qytete në bregdetin jugor të Kinës si terren eksperimentimi për ekonominë e tregut të lirë dhe tërheqjen e investimeve të huaja.

Shenzheni u përzgjodh pikërisht për shkak të afërsisë me Hong Kongun, nga i cili autoritetet kineze shpresonin të merrnin përvojë mbi praktikat moderne të biznesit.

Qeveria ofroi stimuj financiarë për të tërhequr profesionistët dhe talentet më të mira drejt qytetit. Mes tyre ishin edhe gjyshërit e Chen Daiyao-s, të cilët u vendosën në Shenzhen në vitin 1983.

Në atë kohë, qyteti u ishte dukur “mjaft i rrënuar”, kujton Chen, sot 33 vjeç dhe asistente profesore në universitet. Por familja e saj nuk do të ishte e vetmja që do t’i përgjigjej thirrjes së këtij inkubatori të ri të ekonomisë së tregut.

Katër vjet më vonë, Ren Zhengfei, një ish-inxhinier i Ushtrisë Çlirimtare Popullore, themeloi kompaninë e tij në Shenzhen, duke përfituar nga një ligj i ri që u lejonte për herë të parë studiuesve të krijonin bizneset e tyre.

Një dekadë më vonë, edhe Wang Chuanfu vendosi të ndiqte të njëjtën rrugë, duke lënë punën në një kompani prodhimi baterish për të ndërtuar sipërmarrjen e tij.

Sot, kompanitë e themeluara prej tyre janë ndër më të njohurat në botë. Huawei, e krijuar nga Ren Zhengfei, është shndërruar në një prej konglomerateve më të mëdha teknologjike në botë, ndërsa BYD, kompania e themeluar nga Wang Chuanfu, kaloi Tesla-n e Elon Musk vitin e kaluar, duke u bërë prodhuesi me shitjet më të mëdha të automjeteve elektrike në botë.

“Në atë kohë, Shenzheni ofronte atë që ishte ndoshta mjedisi më i mirë në Kinë për inovacionin dhe sipërmarrjen”, u shpreh Wang për televizionin shtetëror CCTV në vitin 2019.

Të dyja kompanitë do të jenë në qendër të vëmendjes gjatë samitit të APEC-ut. Automjetet zyrtare të përcaktuara për aktivitetin janë modele të avancuara të BYD-së, teknologjia e të cilave mbështetet në një masë të konsiderueshme edhe te zhvillimet e Huawei-t.

Shenzheni është gjithashtu selia e disa prej kompanive të tjera gjigante që po nxisin transformimin e shpejtë ekonomik dhe teknologjik të Kinës. Mes tyre janë gjiganti i rrjeteve sociale Tencent dhe DJI, prodhuesi më i madh i dronëve në botë.

Chen thotë se që në fëmijëri ka qenë dëshmitare e ritmit të jashtëzakonshëm të zhvillimit të qytetit të saj.

“Kur isha në shkollën fillore, qyteti po urbanizohej me një ritëm të jashtëzakonshëm”, kujton ajo.

Në vitin 1990, Shenzheni u bë qyteti i parë në Kinë që hapi një restorant të rrjetit amerikan McDonald’s. Shfaqja e harqeve të famshme të arta të kompanisë u konsiderua në atë kohë një moment historik në procesin e hapjes së Kinës ndaj botës.

Edhe në ftesat e samitit të APEC-ut të vitit të kaluar, udhëtimi i jashtëzakonshëm i qytetit u vu në pah. Shenzheni u përshkrua si një qytet që “është transformuar nga një fshat i vogël peshkimi i prapambetur në një metropol modern ndërkombëtar gjatë dekadave të fundit”. Ky zhvillim u cilësua sërish si një “mrekulli”.

Vëzhguesit vlerësojnë se një transformim me ritmin dhe përmasat e Shenzhenit është shumë më i lehtë për t’u realizuar në një shtet njëpartiak, ku vendimmarrja dhe drejtimi politik janë të përqendruara nga lart poshtë.

Edhe përpara se organizimi i samitit të APEC-ut ta vendoste në qendër të vëmendjes diplomatike, Shenzheni ishte shndërruar në destinacionin e dytë më të preferuar në Kinë për turistët e huaj, pas Shangait.

Në vitin 2025, më shumë se 2 milionë turistë të huaj qëndruan të paktën një natë në qytet, një rritje prej 70% krahasuar me një vit më parë, sipas të dhënave të autoriteteve vendore.

Ndërsa në vitin 2026, më shumë se 6.6 milionë turistë të huaj vizituan Shenzhenin, kryesisht nga vendet e rajonit Azi-Paqësor.

Këto shifra nuk përfshijnë më shumë se 10 milionë vizitorët që mbërritën gjatë vitit 2025 nga Hong Kongu dhe Makao, dy rajone të posaçme administrative të Kinës. Numri i tyre shënoi një rritje prej 25% krahasuar me vitin 2024.

Shenzheni është kthyer në një destinacion të preferuar për banorët e Hong Kongut, të cilët e vizitojnë shpesh gjatë fundjavave. Afërsia gjeografike, me vetëm 14 minuta udhëtim me tren me shpejtësi të lartë, dhe kostot relativisht më të ulëta e bëjnë qytetin veçanërisht tërheqës.

Për vizitorët perëndimorë, përshtypja e parë nga Shenzheni është zakonisht atmosfera e tij e avancuar teknologjike.

Megan Jarrett, një amerikane nga Karolina e Jugut, e cila jetoi në Shenzhen për tre vjet, duke nisur nga viti 2023, i tha CNN se përvoja e saj në qytet kishte qenë shumë pozitive.

“Është një qytet me teknologji të lartë dhe shumë modern. Gjithçka është e përshtatshme, por për mua ishte gjithashtu një vend shumë miqësor”, u shpreh ajo.

Edhe Will McCaskill, një producent 28-vjeçar videosh me bazë në Londër, e vizitoi qytetin në maj dhe mbeti i impresionuar nga zhvillimi teknologjik.

“Çdo gjë që mund të ishte një ekran ishte një ekran, një dron apo diçka tjetër. Në këtë drejtim, Shenzheni ishte shumë përpara”, tha ai.

Megjithatë, ajo që e habiti më shumë ishte fakti se qyteti nuk i dukej i mbipopulluar apo kaotik, pavarësisht numrit të madh të ndërtesave dhe zhvillimit urban.

“Kaloni pranë një zone shumë të dendur, të mbushur me rrokaqiej, por në nivelin e rrugës gjithçka është mjaft e qetë dhe me një atmosferë lokale”, tregoi ai.

“Qyteti është shumë i pastër, i ndërtuar mirë dhe i lehtë për t’u përshkuar”.

Chen, profesoresha e universitetit, shprehet krenare që është nga Shenzheni. Një identitet i tillë është relativisht i rrallë në një qytet që tërheq vazhdimisht banorë nga pjesë të tjera të Kinës për të jetuar dhe punuar.

Të dhënat zyrtare tregojnë se rreth gjysmë milioni njerëz shpërngulen çdo vit drejt Shenzhenit nga qytete dhe rajone të tjera të Kinës.

“Meqenëse Shenzheni është një qytet kaq i ri, të krijohet vazhdimisht ndjesia se gjithçka po ndryshon me një ritëm të pabesueshëm. Rrjeti i metrosë po zgjerohet pa ndërprerje dhe infrastruktura hekurudhore me shpejtësi të lartë po përmirësohet vazhdimisht, për të mundësuar udhëtime edhe më të shpejta”, thotë Chen.

“Thjesht ke ndjesinë se këtu gjithçka ecën gjithmonë përpara”.

Si mund të vizitohet Shenzheni?

Kina e ka bërë më të lehtë se kurrë vizitën e turistëve të huaj gjatë viteve të fundit.

Shtetasit e Mbretërisë së Bashkuar dhe të vendeve të Bashkimit Europian përfitojnë nga hyrja pa viza në Kinë. Edhe qytetarët amerikanë mund të udhëtojnë drejt vendit pa vizë, por me disa kufizime.

Ata mund të fluturojnë drejt Shenzhenit dhe të qëndrojnë deri në 10 ditë në provincën Guangdong, ku përfshihet edhe metropoli Guangzhou, me kushtin që më pas të udhëtojnë drejt një destinacioni të tretë jashtë Kinës kontinentale. Ky destinacion mund të jetë edhe Hong Kongu ose Makao.

Shenzheni është gjithashtu lehtësisht i aksesueshëm nga Hong Kongu fqinj, me të cilin ka gjashtë pika kalimi kufitar. Për të kaluar kufirin nevojitet pasaporta, pasi Hong Kongu ka statusin e një Rajoni të Posaçëm Administrativ të Kinës.

Një nga mënyrat më të thjeshta për të udhëtuar është metroja. Linja Hekurudhore Lindore e Hong Kongut lidh stacionin Admiralty, në qendër të qytetit, me pikat kufitare Lo Wu dhe Lok Ma Chau. Udhëtarët mund të zgjedhin gjithashtu autobusët, trenat me shpejtësi të lartë apo tragetet.

Ndërkohë, Aeroporti Ndërkombëtar Bao’an i Shenzhenit po zgjeron vazhdimisht rrjetin e fluturimeve. Aktualisht, ai ofron lidhje direkte me Los Angelesin, si dhe me një numër gjithnjë e më të madh destinacionesh në rajonin Azi-Paqësor, përfshirë Kuala Lumpurin, Melburnin dhe Surabaya-n në Indonezi.

Nga tregjet e elektronikës te muzetë e artit

Shumë prej të huajve që jetojnë në Shenzhen janë vendosur në lagjen Shekou, në pjesën juglindore të qytetit. Zona ka një atmosferë më të qetë dhe ofron bare e restorante me gatime nga kuzhina të ndryshme të botës.

Një tjetër destinacion që ia vlen të vizitohet është Huaqiangbei, tregu më i madh i elektronikës në botë. Në këtë kompleks të madh, me ndërtesa dhe korridore që ngjajnë me një labirint, janë përqendruar më shumë se 100 mijë biznese, të cilat tregtojnë pajisje dhe produkte elektronike me çmime të ulëta.

Megjithatë, Shenzheni po përpiqet të ndërtojë një identitet që shkon përtej teknologjisë dhe tregtisë së pajisjeve elektronike me kosto të ulët.

Qyteti po shton vazhdimisht numrin e muzeve dhe hapësirave të reja kulturore. Në tetor, muzeu i njohur Fotografiska, i themeluar në Stokholm, hapi në Shenzhen degën e tij të parë në këtë qytet.

Ndërsa në maj u inaugurua Muzeu Ndërkombëtar i Artit në Shenzhen, i cili ekspozon vepra të piktorëve të Rilindjes, Titian dhe Tintoretto, si dhe shtatë kokat prej bronzi të kafshëve të zodiakut kinez.

Koleksioni përfshin gjithashtu vepra të njohura të kaligrafisë kineze dhe punime të dy prej mjeshtërve më të mëdhenj të artit të vendit, Qi Baishi dhe Zhang Daqian./CNN

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Hysaj dyfishon avantazhin, Shqipëria shkon në 2-0 ndaj Bjellorusisë

Shqipëria ka dyfishuar epërsinë ndaj Bjellorusisë, duke kaluar në avantazh 2-0 në minutën e 57-të të ndeshjes vendimtare për kreun e Grupit C1 në Ligën...
19:30 | 15/11/2026

Rama: Asnjë furi gurësh, molotovësh, balte apo glasash nuk duhet të na shpërqendrojë nga objektivi i anëtarësimit në BE

Kryeministri Edi Rama ka reaguar përmes një postimi në Facebook pas mbledhjes së Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, teksa tha se fokusi i saj ishte...
21:07 | 14/11/2026

“Nuk i kam përdorur votat për pazare personale”, Braçe: Nuk kam negociuar me Ramën për t’u bërë ministër

Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka reaguar përmes një videoje, ku përgënjeshtron disa shkrime që pretendojnë se ai ka negociuar me kryeministrin Edi Rama...
20:04 | 14/11/2026