Përmirësohet qarkullimi dhe siguria, përfundon investimi në rrugën “Selim Çoba”
Rruga “Selim Çoba” në zonën e ish-Zooteknikës tashmë paraqitet me një pamje tërësisht të transformuar. Pas përfundimit të punimeve kryesore për rikonstruksionin e plotë të saj, banorët e kësaj zone përfitojnë një infrastrukturë të përmirësuar dhe kushte më të mira lëvizjeje. Ndërhyrja ka përfshirë ndërtimin e rrjetit të ri të kanalizimeve të ujërave të bardha dhe të zeza, sistemimin e sipërfaqes së rrugës, asfaltimin, ndërtimin e trotuareve dhe vendosjen e ndriçimit publik.
Banorët e zonës shprehen të kënaqur për përfundimin e punimeve, duke falënderuar për realizimin e këtij investimi.
Kjo ndërhyrje ishte e shumëpritur, pasi aksi prej vitesh paraqiste problematika në infrastrukturë, duke vështirësuar lëvizjen e përditshme.
“Se si ka qenë, kjo është lule. Si punim, s’ka gojë kush me fol. Ujërat e bardha, të zeza, ndriçimi. Faleminderit. Cilësia e punës, për mendim tonë është bërë mire”, tha një prej banorëve.
“Sot jemi të kënaqur me këtë rrugë, kemi qenë në një vështirësi të madhe. I falenderojmë shumë të gjithëve për punën që kanë bërë”, u shpreh një tjetër banor.
Përfundimi i rikonstruksionit sjell një standard të ri infrastrukture për këtë pjesë të ish-Zooteknikës, duke përmirësuar jo vetëm qarkullimin e automjeteve, por edhe sigurinë dhe kushtet e lëvizjes për këmbësorët.
/RTSH/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



