Gjykata e Posaçme (GJKKO) zhvillon sot, në orën 08:30, seancën e radhës për kërkesën e ish-Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla, që dënimi i dhënë në vitin 2021 për fshehje pasurie — dy vite burgim — të konsiderohet i parashkruar. Llalla argumenton se kanë kaluar afro pesë vite nga dhënia e vendimit pa e vuajtur dënimin, dhe për këtë arsye kërkon konstatimin e parashkrimit.
Seanca e mëparshme, e cila ishte parashikuar të zhvillohej më herët, u shty pasi prokurorja e Posaçme e SPAK, Enkelejda Millonai, kërkoi kohë për t’u njohur me materialet e referuara në proces. Në atë seancë Llalla nuk ishte i pranishëm dhe u përfaqësua nga avokati i tij.
Adriatik Llalla vazhdon të jetë në kërkim nga autoritetet shqiptare. Gjatë hetimeve ndaj tij, ai u largua drejt Italisë, ku u arrestua dhe më pas u la nën masa mbikëqyrjeje, pa iu dorëzuar autoriteteve shqiptare. Megjithatë, procesi penal ndaj ish-kryeprokurorit është vijuar në Shqipëri, dhe tashmë GJKKO pritet të shqyrtojë kërkesën për parashkrimin e dënimit.
Seanca e sotme do të vendosë nëse vendimi i formës së prerë të vitit 2021 do të konsiderohet i parashkruar sipas kërkesës së Llallës, ose nëse procedimi kundër tij dhe dënimi do të mbeten në fuqi.
