Plas sherri në burgun e Durrësit, një i plagosur
Një konflikt i dhunshëm mes dy të burgosurve në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) në Durrës ka përfunduar me plagosjen e njërit prej tyre. Ngjarja është shënuar më 15 nëntor, ndërsa një person është vënë në pranga si i dyshuar për përdorimin e mjetit prerës.
Sipas të dhënave të bëra publike nga Agjencia e Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (AMSEVP), gjatë përplasjes Muharrem Bugjisha dyshohet se ka goditur me thikë të burgosurin Ilir Biba, duke i shkaktuar dëmtime fizike.
Pas incidentit, autoritetet kanë ndërhyrë duke arrestuar në flagrancë Muharrem Bugjishën, i cili dyshohet se është përgjegjës për plagosjen.
Çështja i është përcjellë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës. Ndaj të arrestuarit rëndojnë dyshimet për veprat penale “Plagosja e lehtë me dashje” dhe “Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve penale”, të parashikuara përkatësisht nga nenet 89 dhe 324/a të Kodit Penal.
Përveç hetimit mbi konfliktin mes dy të burgosurve, në fokus të verifikimeve janë vendosur edhe punonjësit e institucionit të vuajtjes së dënimit. AMSEVP ka nisur procedurat për të sqaruar nëse ka pasur shkelje të rregullave të sigurisë, neglizhencë në kryerjen e detyrës apo përfshirje të mundshme të personelit në incident.
Agjencia u ka bërë thirrje qytetarëve dhe mediave që të raportojnë çdo rast abuzimi, shkeljeje ligjore apo shpërdorimi të detyrës nga punonjësit e institucioneve penitenciare.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



